Dhjetë muxhahedinë iranianë janë marrë në pyetje nga Prokuroria e Durrësit si dëshmitarë në ngjarjen e ndoshur paraditen e së martës, 20 qershor, në kampin e Ashraf 3 ku strehohen Muxhahedinët e popullit iranian në Manzë të Durrësit.
Iranianët janë pyetur dje në lidhje me pretendimet se policia ka ushtrur dhunë ndaj tyre si dhe me sprajtin që kanë hedhur janë përgjegjës për humbjen e jetës së një anëtari në kamp.
Burime nga organi i akuzës thonë se edhe gjatë dëshmisë së dhënë dje ata kanë mbajtur po të njëjtin qëndrim.
Më herët, për këtë pretendim, autoritetet shqiptare deklaruan se nuk është ushtruar dhunë ndaj muxhahedinëve.
Policia dhe Prokuroria nuk kanë mundur të sekuestrojnë ende kamerat brenda kampit, dhe për këtë janë detyruar që me një kërkesë t’u drejtohen përfaqësuesve të muxhahedinëve për t’u dhënë pamjet e kamerave të sigurisë.
Ditën e sotme dhe në vijim pritet të merren në pyetje persona të tjerë iranianë, mes të cilëve edhe 6 personat që u proceduan në gjendje të lirë për 4 akuza. Në lidhje me 78-vjeçarin që vdiq në kamp, Prokuroria e Durrësit është në pritje të autopsisë dhe përgjigjes së analizave toksikologjike.
6 drejtues të organizat në hetim
Gjashtë drejtues të organizatës MEK janë vënë nën hetim nga policia e Durrësit, për përplasjen me efektivët e policisë, gjatë kontrollit të kësaj të fundit me urdhër të GJKKO-së, brenda kampit të muxhahedinëve në Manzë të Durrësit. Nën hetim janë vënë H.N., 73 vjeç; M.B., 72 vjeç; A.A., 72 vjeç; B.S., 63 vjeç; A.A., 61 vjeç dhe D.F., 70 vjeç. Ata po procedohen penalisht në gjendje të lirë, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” , “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës”.
Nga Manza sulme kibernetike drejt Iranit
Sipas SPAK dyshohet se nga organizata “MEK” nga territori i Republikës së Shqipërisë, janë kryer sulme kibernetike ndaj Republikës islamike të Iranit në periudha të ndryshme kohore si dhe ndaj institucioneve të shtetit Iranian. Në dosjen e GJKKO-se thuhet se republika Islamike e Iranit në vazhdimësi ka pretenduar duke ngritur dyshime në lidhje me këto sulme si dhe në mënyrë të vazhdueshme kërcënon se do të ndërmarrë sulme ndaj Shqipërisë dhe organizatës MEK.
450 u arratisën nga kampi
Sipas SPAK, nga 3 mijë muxhahedinë që u strehuan në 2018-n në këtë kamp, 450 prej tyre u arratisën. Nga këta, 300 janë larguar ilegalisht nga vendi ynë, 100 të tjerë kanë kaluar kufirin me dokumentacion të rregullt, ndërsa 50 të tjerë janë ende në Shqipëri. Në dosje jepen edhe detaje se si nisi përplasja e MEK me qeverinë iraniane, kur u krijuar kjo organizatë dhe vendosja e tyre në Shqipëri.
Kontrolli brenda kampit MEK
Më 20 qershor 2023, ndërhyrja e policisë me urdhër të SPAK dhe me vendim të GJKKO-së për të ushtruar kontroll brenda kampit në Manzë hasi në rezistencë dhe përballje nga anëtarë e MEK ku u gjetën pajisje të shumta kompjuterike të cilat u sekuestruan, si dhe dokumentacion shkresor. Nga rezistenca u plagosën 15 policë disa pjesëtarë të kampit ndërsa një 78-vjeçar humbi jetën. Muxhahedinët thonë se vdekja e tij ka ardhur nga policia ndërkohë policia vertë mohon se ka ushtruar dhunë. Prokuroria e Durrësit është në pritje të autopsisë dhe përgjigjes së analizave toksikologjike.
Edhe DASH dhe ambasadorja amerikane Yuri Kim mbështeti veprimet që policisë në Kampin Ashraf 3 ku strehohen Muxhahedinët e popullit iranian. Ajo tha se mysafirët e një vendi duhet të respektojnë rregullat e përcaktuara dhe se është në të drejtën e Shqipërisë të vendosë nëse do ti largojë apo jo.
Provokim lufte
SPAK regjistroi procedimin penal në 18 maj të vitit 2023 për veprat penale “provokim i luftës”, “përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “ndërhyrje në të dhënat kompjuterike”, “keqpërdorim i pajisjeve”, grup të strukturuar kriminal. Sipas nenit, 211, të Kodit Penal, “Kryerja e veprimeve që synojnë të provokojnë luftë apo të vënë Republikën e Shqipërisë përpara rrezikut të ndërhyrjes nga fuqi të huaja, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet.