Ish-kryeministrja e Kroacisë, Jadranka Kosor, nuk mund të paramendojë që nesër një shtet i Bashkimit Evropian të ketë një president me të kaluar të luftës.
Ajo në një intervistë për gazetën “Danas”, në 30-vjetorin e rrethimit të qytetit kroat Vukovar, tha se gjëja e parë që i bie në mend kur përmendet emri i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, është fotoja e tij më pushkë pranë Sarajevës, pastaj se si i barte arkat e birrave për liderin e radikalëve, Vojislav Sheshel.
“Unë nuk mund ta paramendoj që Vuçiqi një ditë të jetë në krye të një shteti të BE-së. Vuçiqi është lideri i parë i një shteti në Evropë dhe më gjerë që ka të kaluar të luftës. Gjëja e parë që më kujtohet kur përmendet emri i tij është fotoja me pushkë më Sarajevë, pastaj se si barte birra për Sheshelin dhe si ulërinte në një tubim në qytetin Glina, se ‘ky vend kurrë nuk do të jetë Kroaci’. Kjo nuk ka ndodhur para 600 vjetëve, janë gjëra të regjistruara. Lider të tillë nuk do të duhej të ishin të mirëseardhur në BE”, ka thënë Kosor.
Ajo ishte në krye të ekzekutivit kroat në periudhën nga korrikut i 2009-s deri në dhjetor të 2011-s.