Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias ka bërë të ditur se Kosova dhe Greqia janë pajtuar të avancohet statusi i Zyrës së Kosovës në Athinë.
Gërvalla tha se Zyra e Kosovës në Athinë nga një zyrë e thjesht për çështje ekonomike, tashmë do të jetë në zyre e ashtuquajtur interesi me qasje edhe në fushat tjera, duke përfshirë edhe atë politike.
“Republika e Kosovës dhe Republika e Greqisë janë pajtuar që si një hap i mëtejmë drejt një shkëmbimi të ngushtë dhe të dendur të ngrihet statusi i Zyrës së Kosovës në Athinë nga një zyre e thjeshtë ekonomike, në një zyre të të ashtuquajtur interesi me qasje tashmë jo vetëm në çështje ekonomike, por edhe në fusha tjera, duke përfshirë edhe atë politike”, tha ajo.
Ndërkaq, Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias ka deklaruar se Greqia e mbështet dialogun në vazhdimësi, duke bërë thirrje që të intensifikohen përpjekjet për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme gjithëpërfshirëse.