Kosova duhet të njihet! Gocharenko: Predhat serbe në Ukrainë po shtyjnë vendimin

“Ukraina duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës”. Këtë e konfirmon për A2 CNN deputeti ukrainas, Oleksi Gonçarenko, duke shtuar se predhat serbe që po merr vendi i tij në mënyrë të tërthortë, po e shtyjnë këtë vendim.

Në një interviste me gazetaren Rosalba Bejdo, ligjvënësi, një mik i shqiptarëve dhe Kosovës në veçanti, shpreh shqetësimin se Serbia mund të jetë duke furnizuar oreksin e Rusisë për destabilizim të Ballkanit, pasi ka të njëjtat ambicie si Rusia, për të krijuar perandori.

Këshilla e tij për Prishtinën zyrtare është që të vazhdojë me anëtarësimet ndërkombëtare, veçanërisht ato europiane, pasi janë ombrella mbrojtëse ndaj çdo kërcënimi.

Rosalba Bejdo- Z.Gocharenko, ju falënderoj që na bashkoheni sot. është një kënaqësi…

Gocharenko-Faleminderit….është një kënaqësi për mua!

Rosalba Bejdo-A mund t’iu pyes përse kjo vizitë në Tiranë?

Gocharenko-Këto ditë në Tiranë po zhvillohet mbledhja e nënkomisionit për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Dhe si anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, si kryetar i Komisionit për Migracionin, Refugjatët dhe Personat e Shëprngulur, po marr pjesë në këtë takim.

Rosalba Bejdo-E dimë që jeni një mbështetës i fortë i Kosovës dhe lobues për njohjen e saj në parlamentin ukrainas…Çfarë ju ka shtyrë drejt një qëndrimi të tillë…?

Gocharenko-…jo vetëm në parlamentin ukrainas, por edhe në nivel evropian dhe në Këshillin e Evropës. Para së gjithash, është argumenti emocional, pasi mendoj se ukrainasit po kalojnë tani atë që kaluan kosovarët 25 vjet më parë. Po flas për gjenocid dhe fatkeqësisht kjo është tragjedi për të dy kombet tona. Kjo na bën të kuptojmë njëri-tjetrin më mirë se kushdo tjetër. Së dyti, mendoj se vendet e botës së lirë duhet të bashkohen dhe të mbështesin njëra-tjetrën. Kosova është demokraci, dëshiron të bëhet anëtare e familjes politike evropiane. Kosova meriton të njihet dhe të jetë shtet anëtar. Nga kjo nuk do të përfitonin vetëm qytetarët e vet, por edhe e gjithë Evropa pasi më me shume vende do te bashkoheshin sipas vlerave të njëjta. Prandaj jam dhe do të jem përkrahës i njohjes së Kosovës për ta atë të ecë në këtë rrugë evropiane.

Rosalba Bejdo-Por përse Ukraina nuk ka marrë ende një vendim lidhur me njohjen e Kosovës, edhe pse ashtu siç pretendoni, dy vendet ndajnë drama të njëjta…?

Gocharenko-Ky është një vendim që sipas Kushtetutës i takon presidentit të Ukrainës. Dhe ai nuk e ka marre ende. Unë mendoj se herët a vonë ky vendim do të merret. Sot ndoshta ka disa pengesa, mbase e keni dëgjuar se Serbia po prodhon predha të cilat më pas i merr Ukraina. Jo drejtpërdrejtë, por përmes vendeve të treta. Ndoshta ka edhe arsye të tjera që unë nuk i di, po ky vendim nuk po merret. Mendoj se herët a vonë do të ketë një lëvizje në këtë drejtim. Unë sponsorizova projektligjin për njohjen e Kosovës në parlament. Nuk mendoj se duhet të luajmë lojëra me Serbinë apo ndonjë shtet tjetër. Mendoj se duhet të kemi një qëndrim tonin, i cili është i qartë; Kosova duhet të njihet.

Rosalba Bejdo- Z. Gocharenko, ashtu si Ukraina edhe Kosova po shpreson dëshpërimisht t’i bashkohet NATO dhe BE, në mënyrë që të ketë garancitë e nevojshme, e kërcënuar nga fqinjët agresive, pas luftës ruse në Ukrainë. Ai shihni ngjashmëri mes dy rasteve? Dhe a mendoni ju se NATO dhe Europa do t’ia hapin dyert dy vendeve…?

Gocharenko-Po, mendoj se ka shumë ngjashmëri. Para së gjithash, Rusia dhe Perandoria Ruse; sepse problemi është se shteti rus ekziston në perandori, si një perandori dhe ata duan, jo vetëm të sulmojnë Ukrainën…Sot ka ky bosht demash në botë; Rusia, Irani, Koreja e Veriut, apo Kina… Dhe një nga qëllimet e këtij boshti të demave dhe të Rusisë është që të vendosë sa më shumë dema në botë. Dhe për fat të keq, mendoj se Ballkani është një prej këtyre rajonet ku ata duan ta bëjnë këtë. Për këtë po përdorin situatën në Bosnje Hercegovinë, njerëz si Dodik. Ata po përpiqen të përdorin ndjenjat revanshiste të një pjese të shoqërisë serbe për ta shtyrë atë të jetë më agresive. Dhe ky është një rrezik. Ky është një rrezik për Ballkanin. Në radhë të parë për Kosovën. Por ky është një rrezik për të gjithë Evropën, pasi mund të ketë zjarr të ri në botë, pas atij që digjet aktualisht. Vetëm shikojeni çfarë po ndodh.. Lindja e Mesme, Afrika, Amerika Latine ishin të radhës. Pra, Rusia dëshiron që Ballkani të jetë i radhës.

Rosalba Bejdo- Po. Do t’iu pyesja pikërisht për këtë, për situatën në Ballkanin perëndimor, dhe dinamikat gjeopolitike në rajon. Serbia po bëhet gjithmonë e më e afërt me Rusinë dhe Kosova ndihet e kërcënuar nga Serbia. Mendoni se Rusia mund të ketë interes në shkaktimin  një lufte këtu në Ballkan?

Gocharenko- Absolutisht. Unë jam absolutisht i sigurt për këtë. Serbia duke sikur po lëviz në të dyja drejtimet. Nga njëra anë thotë se dëshiron të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. Se ndan këto vlera e kështu me radhë..

Nga ana tjetër thonë se rusët janë vëllezërit tanë, miqtë tanë.  Pra, Serbia duhet të vendosë nëse do të jetë një shtet normal si gjithë të tjerët në këtë rast.. Unë  dua ta shoh Serbinë të jetë në rrugën evropiane.

Është absolutisht në rregull. Por nga ana tjetër bën përpjekje për të qenë perandori si më parë, siç po bën Rusia.. Në këtë rast, kjo do të sjellë luftë, sepse aty ku ka perandori ka edhe luftëra…Është shumë e thjeshtë. Më së shumti nga kjo do të vuajnë të gjithë fqinjët e Serbisë, por do të vuajnë edhe vetë serbët. Pra, shikoni Gjermaninë, çfarë kërcënimi ishte për të gjithë botën dhe për vetë gjermanët, para se të bëhej shteti normal dhe i mrekullueshëm që është tani. Por para kësaj, ai ishte një kërcënim i vazhdueshëm. Pra Serbia dhe serbët duhet ta marrin këtë vendim teksa Rusia po i shtyn drejt imperializmit, duke nxitur një luftë këtu.. Patjetër!

Rosalba Bejdo-Çfarë duhet të bëjë Kosova në opinionin tuaj?

Gocharenko- Kosova duhet të përgatitet. Kosova duhet të jetë mjaft e fortë. Duhet të anëtarësohet në Evropë, para sa gjithash ne institucione të tilla si Këshilli i Evropës, sepse pa anëtarësim në Këshillin e Evropës nuk e shoh rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian. Dhe ky duhet të jetë hapi i parë dhe të bëhet gjithçka e mundur për këtë.

Rosalba Bejdo-Le të flasim për luftën në Ukrainë. Ukrainasit pavarësisht të gjithë skeptikëve, nuk u gjunjëzuan para Rusisë dhe vazhdojnë luftën edhe pas dy vitesh. Por për muaj është raportuar se situata në terren nga ndryshuar në favor të Rusisë, me ushtrinë tuaj që përballet me mungesa në staf e armatime. A mendoni  se mund të shpresohet ende për një fitore…

Gocharenko-E dini, lufta është mjaft e paparashikueshme. Duke folur për fitoren, nga një këndvështrim, ne tashmë e kemi siguruar atë. Sepse Rusia donte të shkatërronte Ukrainën, ta fshinte atë nga harta e botës.. Donte ta merrte të gjithë Ukrainën, Kievin, Odesën, qytetet kryesore. Dhe ata dështuan në këtë. Dhe kjo është fitorja. Pra, ne mbrojtëm pavarësinë tonë. Problemi qëndron tek integriteti territorial. 20% e territorit tonë sot është i pushtuar.. A kemi ne tani një shans për të çliruar këto territore? Mendoj se e kemi këtë shans. Dhe ne treguam se mund të jemi të suksesshëm në terrenin që rikuperuam në 2022, pasi një pjesë e madhe e tij ishte i pushtuar nga rusët. Vetëm shikoni në Detin e Zi, ku ne nuk kemi asnjë flotë detare, dhe pa një të tillë në kemi shkatërruar pothuajse gjysmën e flotës ruse të Detit të Zi. Dhe ky është një sukses i madh. Pra, aty ku na janë zgjidhur duart, ku kemi burime të mjaftueshme, jemi super të suksesshëm. Po, sot në terren situata është e vështirë. Nuk mund të themi se Rusia ka suksese serioze, përveçse në rastin e Avdivkës të cilin rusët e morën së fundmi. Ai ishte një qytet me 30,000 banorë. Ata e sulmuan atë intensivisht për një kohë të gjatë dhe më në fund ia dolën. Por dua të them, nuk kanë shënuar ndonjë përparim të madh dhe nuk mendoj se ata kanë ndonjë shans për të pasur një të tillë. Por po,  ata nuk numërojnë njerëzit. Ata i përdorin njerëzit si mish për top. Dhe me këtë, ata po ecin pak përpara. Pra, çfarë do të ndodhë më pas? Varet nga mbështetja që do të marrë Ukraina, nëse do të marrim armatim të mjaftueshëm;  nëse nuk do të kufizohemi nga këto vendime të çuditshme për të mos sulmuar territorin rus, këtë territor apo një tjetër, nëse do të na japin raketa me rreze 150 km apo 300 km. Në këtë rast, ne mund ta fitojmë këtë luftë, të çlirojmë të gjitha territoret tona dhe me këtë të rivendosim ligjin dhe rendin ndërkombëtar. Nëse jo, është e vështirë të parashikohet. Mund të zgjasë për një kohë të gjatë.

Rosalba Bejdo-Cili është komenti juaj lidhur me zërat mbi një marrëveshje kompromisi me Rusinë. Çfarë u thoni atyre që sugjerojnë se Ukraina duhet të heqë dorë nga territori i vet në emër të paqes?

Gocharenko-Kush e thotë këtë?

Rosalba Bejdo-Donald Trump po e thotë..

Gocharenko- Ai nuk e ka thënë specifikisht këtë, ka thënë se do të garantonte paqen por gjithsesi, përgjigjja ime është e kuptueshme..

 

Rosalba Bejdo- Gjithsesi nuk mund ta mohoni se ka zëra?

Gocharenko- Po ka zëra. Orban ka zhvilluar një vizitë në Moskë dhe kjo është totalisht e turpshme. Është absolutisht një turp pasi ai Putin nuk është thjesht presidenti I Federatës ruse. Ai është një tiran i cili nuk është zgjedhur. Është një kriminel lufte, një kriminel ndërkombëtar. Ndaj tij është lëshuar edhe urdhër arresti, prandaj është e turpshme.

Rosalba Bejdo- Orban ka presidencën e radhës se BE-së për 6 muaj e ardhshëm…

Gocharenko- Po është e vërtetë. Duke folur për çështjen e territoreve, atëherë le ti japë z. Orban territoret e veta Putinit në mënyrë që të kemi paqe. Mbase ai mund ti japë atij, Budapestin p.sh. Kjo është përgjigjja ime për të dhe të gjithë ata që duan t’i japin Rusisë territore. Le t’u japin tokat e tyre.  Nuk ka qenë një opsion dhe nuk do të jetë kurrë. Ukraina nuk do të njohë pushtimin e territoreve të veta. Nuk do të ndodhë kurrë. Është një histori tjetër se si do t’i rimarrim këto territore. Por nuk do të pranojmë kurrë aneksimin. Është një krim që nuk mund të tolerohet.

Rosalba Bejdo- Duke folur për Donald Trump. Ju e përmendet atë. Ai mund të fitojë zgjedhjet, e i druheni mundësisë së humbjes së mbështetjes nga aleati juaj kryesor?

Gocharenko- Ne jemi të shqetësuar për këtë. Por unë dua t’ju them se çfarë mendoj për Presidentin Trump. Para së gjithash, ajo që është shqetësuese lidhur me Trump, është se ai është i paparashikueshëm dhe kjo do të thotë se ne nuk e dimë se çfarë do të bëjë. Dhe unë mendoj se as ai vetë nuk e di se çfarë do të bëjë me Ukrainën sepse tani nuk po mendon vërtet për këtë. Ai po punon për t’u rizgjedhur si president i Shteteve të Bashkuara. Nëse ai do të zgjidhet, atëherë ai do të mendojë se çfarë të bëjë me Ukrainën. Dhe unë mendoj se Donald Trump mund t’i bëjë disa gjëra shumë të këqija Ukrainës, por gjithashtu ai mund të bëjë disa gjëra absolutisht fantastike. Pra, ka shanse që ai të jetë problemi dhe zgjidhja e problemit. Dhe unë nuk e di përgjigjen, por e di këtë. Di që Presidenti Trump ishte presidenti i parë amerikan që i dha Ukrainës armë vdekjeprurëse. Raketat Javelin. Barack Obama refuzoi. Donald Trump i dha.  Kështu që nuk jam aq i sigurt. Ajo që dimë është që Putini shpreson që Trump të zgjidhet, por nuk jam aq i sigurt se Putini ka të drejtë. Dhe çfarë do të ndodhë nëse Trump do të zgjidhet? Askush nuk e di.

Rosalba Bejdo-Si e shihni ndryshimin e panoramës politike në Europë. Ekstremistët po vijnë në pushtet. A ju tremb një mundësi e tillë, humbja e mbështetjes?

Gocharenko- Po, ne patjetër shohim ndryshime të mëdha. Por le të shohim çfarë ndodhi me zgjedhjet e Parlamentit Europian. Dëgjuam shumë të thoshin se ekstremistët do të vijnë në pushtet dhe ne do të humbasim mbështetjen e kësaj organizate për Ukrainën, e kështu me radhë. Por kjo nuk ka ndodhur. Partitë mainstream vijojnë të jenë bërthama. Ato I kuptojnë qartë vlerat, kërcënimin nga Putini dhe aleatët e tij. Ata mbështesin Ukrainën. Kështu që nuk e ndjej kaq të madhe rrezikun. Natyrisht që ka sfida dhe kërcënime por nuk jam optimist.. Gjithashtu, ajo që është e rëndësishme është se të gjitha këto vende, kur flasim për vendet evropiane, janë vende demokratike. Dhe mbështetja ndaj sigurisë së Ukrainës, ndalimi i Rusisë, është në interesin më të mirë të të gjithëve, të gjermanëve, të francezëve, të italianëve, të shqiptarëve, të kujtdo. Kështu që unë mendoj se do të ketë presion nga njerëzit. Ne duam të jetojmë një jetë të sigurt. Ne duam të kemi siguri. Dhe Rusia është kërcënimi. Ky qëndrim, mendoj, është tani linja kryesore. Kështu që nuk jam pesimist.

Rosalba Bejdo- Në opinionin tuaj..Çfarë duhej të kishin bërë ndryshe SHBA dhe BE në lidhje me Rusinë dhe sa realist është rreziku i një përhapje të konfliktit përtej kufijve tuaj?

Gocharenko-  Mendoj se duhet të përdoren të gjitha mënyrat e mbështetjes, mbështetja ushtarake, sanksionet ekonomike kundër Rusisë, mjetet juridike; duke përfshirë përpjekjet diplomatike të gjykatës speciale dhe dërgimin e trupave në Ukrainë. Kur them për dërgimin e trupave, i referohem asaj që tha  presidenti Macron dhe disa vende e mbështetën. Nuk po them që ushtarët francezë do të luftojnë në llogore kundër rusëve, por them se ne mund të kemi misione trajnimi. Mund të kemi një misione policore në kufirin me Ukrainën. Ne mund të kemi qendra të sigurisë kibernetike dhe gjëra të tjera, pra qendra mbështetëse, dhe ato mund të bëhen nga trupat e kombeve të huaja. Dhe unë mendoj se kjo do t’i tregojë Putinit se ai nuk do t’i arrijë qëllimet e veta në Ukrainë.. Në këtë mënyrë  do ti japim një shtysë paqes.

Rosalba Bejdo- A ka rrezik për përhapjen e konfliktit?

Gocharenko- Po, absolutisht. Nëse Putin do të jetë i suksesshëm në Ukrainë, ai nuk do të ndalet kurrë. Viktimat e radhës do të jenë Gjeorgjia, Moldavia, Rumania, shtetet baltike. Ai do të shkojë më tej. Ai do të përpiqet të destabilizojë Ballkanin. Ai do të armatosur aleatët e tij. Ai dëshiron të rindërtojë perandorinë ruse, me kontrollin mbi gjysmën e Evropës. Ky është qëllimi i tij.

Rosalba Bejdo- Faleminderit shumë. Ishte një kënaqësi.