Kosova ua ka dërguar të dhënat e pacientëve të prekur me Covid 19 kompanisë amerikane, e cila ka disa ditë që ka nisur testimin e ilaçit Remdesevir te pacientët e prekur me Covid 19.
Infektologu i Klinikës Infektive, Salih Ahmeti, ka bërë të ditur se ata janë në kontakte të vazhdueshme me qendrat ku po bëhen hulumtimet për gjetjen e ilaçeve për trajtimin e pacientëve me Covid 19, raporton KTV
Por, Ahmeti thotë se janë edhe disa protokolle të tjera të cilat po aplikohen në Itali, Angli e Tiranë, e të cilat i ka nisur edhe Klinika Infektive t’i aplikojë për trajtimin e pacientëve të prekur me Covid 19.
Sipas Ahmetit, disa prej tyre kanë dhënë efekte, por që kjo varet shumë edhe nga gjendja e pacientit dhe nëse pacienti ka edhe sëmundje të tjera shoqëruese.
Ndërsa, Milaim Abdullahu, i cili është përfaqësues i kompanisë amerikane për Kosovë, Gilead, e cila ka nisur prodhimin e barit Remdesivir, ka thënë se pasi që ilaçi nuk është i regjistruar në Kosovë, ai do të futet në emër të pacientëve.
Për sqarime rreth këtij ilaçi, televizioni i ka shkruar edhe kompanisë amerikane Gilead, por nuk ka marrë përgjigje.
Ndërsa, Tim Schacker, zëvendësrektor për hulumtime në Universitetin e Minnesotas, gjatë së premtes, në një deklaratë për Reuters, ka folur për hulumtimin që kompania Gilead po bën për këtë ilaç dhe efektet që ilaçi po jep te pacientët.
“Remdeseviri është një ilaç i krijuar nga Giliard dhe i dizjanuar për trajtimin e viruseve Ebola dhe Marburg. Por, kompania ka gjetur se nuk ka pasur efekt ndaj këtyre viruseve. Mirëpo, në testet dhe në disa eksperimente te kafshët, është zbuluar se ka pasur aktivitet kundër koronavirusit. Nuk bëhet fjalë për këtë të tashmin, është Sars që është pothuajse i ngjashëm me këtë që po përballemi. Testimet janë për njerëzit e shtrirë në spital. Ata kanë marrë këtë ilaç për të parë nëse mund t’i bëjnë ballë infeksionit. Testimet kanë nisur në shumë pjesë të shtetit”, ka thënë Schacker.
Kompania vendore “Trepharm”, gjithashtu përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se pasi presidenti i SHBA-së aprovoi barin Azithromicyn i cili është treguar i suksesshëm në trajtimin e pacientëve me Covid 19, kjo kompani e ka në dispozicion këtë ilaç, pasi që një kohë e prodhon atë.
“Dje, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, aprovoi barin Azithromycin, i cili është treguar i suksesshëm në trajtimin e të infektuarve me COVID 19. Kosova nuk ka nevojë të kërkojë furnizime të këtij bari nga shtetet e tjera, sepse kompania jonë “Trepharm”, barin në fjalë e prodhon tash e një kohë të gjatë me standardet më të larta. Vërejtje: Ky produkt përdoret vetëm me përshkrim të mjekut”, ka thënë Trephram.
Një ditë më parë, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, bëri të ditur se pas informacioneve se dy barnat Remdesivir dhe Piravir kanë dhënë rezultatet te disa pacientë në Itali dhe shtete të tjera, ata pritet që përmes ambasadave, si ajo e Japonisë dhe distributorëve, të sigurojnë këto barna edhe për Kosovë.