Me reduktime deri në 14 orë janë përballur qytetarët në lagje të ndryshme të kryeqytetit dhe komuna të tjera të Kosovës. Shkak për këto reduktime, sipas KEDS-it, janë mbingarkesat. Edhe pse kishte paralajmëruar që reduktimet do të jenë nga dy orë. Qytetarët janë të mllefosur për kthimin e reduktimeve. Thonë se kjo po ua vështirëson jetën.
Me orar më të gjatë sesa që ishin paralajmëruar kanë zgjatur reduktimet e energjisë gjatë ditës së enjte. Shumë lagje në kryeqytet dhe në komuna të tjera kanë mbetur pa rrymë deri në 14 orë.
Disa shtëpi në rrugën “Kushtrim Hoxha” në “Mati 1”, thonë se që nga e diela janë pa energji elektrike.
Besim Halimi nga kjo lagje, i cili ka ardhur për pushime bashkë me familje, thotë se ka 5 ditë që janë pa rrymë dhe se nëse kjo vazhdon do të detyrohen të kthehen në Zvicër.
Ai ka zhvendosur shtratin e tij në sallon, për shkak se në dhoma të tjera thotë se është edhe ftohtë, ndërsa fëmijët i ka dërguar te të afërmit.
“Kemi ardhur të dielën në ora 12 ose 1, në ora 4 është ndalur rryma dhe deri të nesërmen në ora 10 mëngjes nuk kemi pasur rrymë. Edhe pse ka ardhur, kanë bërë vetëm dy drita dhe ndonjë prizë. Mbrëmë është ndalë. Dhe sot nuk kemi rrymë. Ka diku 17 orë edhe pse po vjen vetëm dy drita po bëjnë”, ka thënë ai.
Thotë se e kanë telefonuar KEDS-in, por që përkundër premtimeve nuk kanë bërë intervenim.
Edhe Afrim Halimi, nga kjo lagje, thotë se ka 10 ditë që kanë telashe me rrymën dhe se kanë vështirësi t’ia dalin shkaku i fëmijëve të vegjël që kanë pasi nuk kanë ngrohje në shtëpi.
“Ka ndodhur që s’kemi pasur deri në 24 orë rrymë. I kam fëmijët e vegjël, 4 vjeç e gjysmë e problem se s’kemi ngrohje. Për vete po e përballoj disi, por fëmija 4 vjeç nuk mundet me përballu”, ka deklaruar ai.
Edhe në lagjen afër saj ka pasur reduktime gjatë së mërkurës dhe së enjtes, përkundër që është paralajmëruar se ato do të jenë vetëm 2 orë.
“Dje na u ka ndalë prej 2 deri në 4 dhe prej 8 deri në 10. Dy herë ka pasur reduktime. Nuk e di si ia kanë mësyrë këta. Këndej thonë kurseje. Në anën tjetër, nuk ka rrymë. Si vitet e tjera edhe këtë vit është. Kriza ndihet në Evropë se ata ngrohen me gaz nga Rusia, por na në 2020 ajo rrymë ka qenë”, ka thënë Islam Rahimi.
Nga KEDS-i kanë njoftuar se do të ketë reduktime edhe në ditët në vazhdim.
Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka thënë se një dukuri që po pengon kyçjen me kohë të grupeve të caktuara, është ngarkesa e madhe që po shfaqet në dalje gjatë këtij procesi, ndërsa u ka bërë thirrje konsumatorëve që janë pa energji elektrike t’i ç’kyqin pajisjet.
“Duke qenë se kriza energjetike tashmë është thelluar në vendin tonë, dhe nga ana tjetër faktorë të tjerë, sikurse mbingarkesat e sistemit elektro-energjetik dhe trendi i rritjes së shpejtë të konsumit, kanë bërë që kufizimet e planifikuara me energji elektrike për të gjithë konsumatorët të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, derisa të marrim instruksione të tjera nga KOSTT-i”, thuhet në njoftim të KEDS-it.
KEDS-i ka apeluar sërish nga qytetarët që të kursejnë energjinë elektrike.
Nga opozita kanë kritikuar Qeverinë për këto reduktime. Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se Qeveria Kurti e ka kthyer Kosovën në vitin 2000, pa rrymë e me gjeneratorë.
“Deri në fund të këtij viti, qeveria plebishitare na solli në vitin 2000. Pa rrymë e me agregatë. Por… nuk është ftohtë, po nxehemi me votat e mbi 51 për qind të qytetarëve! Kështu e ka Referendumi. Të mërdhinë, por duhet të thuash që është mirë, sepse populli kështu ka vendosur”, ka shkruar Mustafa në Facebook.
Kritika të ashpra për reduktimet me energjinë elektrike pati lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili përmes një postimi në “Facebook” akuzoi kryeministrin Kurti për refuzimin e investimit amerikan për gazsjellësin.
Këtyre iu është kundërpërgjigjur Kurti, duke thënë se ata që po i fajësojnë ta shohin veten në pasqyrë.