Ndonëse pa Edon Zhegrovën, Aro Muriqin e Florent Muslijën dhe me shumë ndryshime të tjera në formacion, Kosova ka dominuar plotësisht ndaj Qipros, të hënën mbrëma në Larnaca. Përfaqësuesja e Kosovës në futboll shënoi fitoren e parë në edicionin e katërt të Ligës së Kombeve.
Kosova fitoi me rezultatin 4:0 ndaj qipriotëve që ishin inferiorë në fushë. Ndeshja u zhvillua në praninë e pak shikuesve, ndërsa u dominua plotësisht nga “Dardanët”.
Kosova bëri një lloj reagimi pas humbjes së thellë, 3:0, të premten në “Fadil Vokrri”. Po të premten, në ndeshjen tjetër të Grupit C2 të Ligës së Kombeve, Qiproja kishte fituar ndaj Lituanisë, 1:0.
Qipriotët, megjithatë, ishin pa gjasa në ndeshjen ndaj Kosovës.
Në pjesën e parë shkëlqyen Vedat Muriqi e Donat Rrudhani. Rrudhani mbuloi krahun e majtë të mbrojtjes dhe siguroi penallti të hershme. Nga pika e bardhë i saktë ishte Vedat Muriqi, që shënoi për 1:0 në minutën e nëntë.
Në minutën e 21-të, Rrudhani bëri krosim mjeshtëror, ndërsa edhe më bukur goditi Muriqi me kokë, që realizoi për 2:0.
Raste të tjera kishte Kosova në pjesën e parë, por gola të tjerë nuk u shënuan.
Në fillim të pjesës së dytë Albion Rrahmani hyri në vend të Muriqit, ndërsa Lumbardh Dellova e zëvendësoi Fidan Alitin.
Menjëherë në minutën e 48-të, Rrahmani shënoi për 3:0. Pas një aksioni, Milot Rashica shërbeu Albion Rrahmanin që realizoi nga afërsia. Për të ishte goli i parë me Kosovën.
Në minutën e 55-të, Rrudhani pasoi në zonë për Lumbardh Dellovën. Ai goditi saktë e fuqishëm për 4:0. Edhe Dellova realizoi golin e parë me Përfaqësuese.
Më pas rastin e fituan edhe Ilir Krasniqi, Emir Sahiti e Eliot Bujupi, për të cilin ishte debutim.
Sahiti goditi shtyllën me goditje të bukur, ndërsa disa gjysmëraste i krijuan dy përfaqësueset. Por shifrat më nuk ndryshuan, 4:0 për Kosovën.
Fitorja mund të shërbejë edhe për të sjellë qetësi në Përfaqësuese, pas situatës së rëndë të krijuar të dielën. Selektori Franco Foda së bashku me FFK-në kanë larguar nga grumbullimi Zhegrovën, Aro Muriqin dhe Muslijën për shkelje të Rregullores. Është raportuar se ata dolën pa leje në klube të natës, gjatë periudhës së grumbullimit me Përfaqësuese.
Në vend të Zhegrovës rastin në sulm e fitoi Ermal Krasniqi. Visar Bekaj zuri vendin e Aro Muriqit në portë.
Në mesin e fushës krahas Elvis Rexhbeçajt e Valon Berishës u vendos edhe Lindon Emërllahu. Florent Hadërgjonaj mbuloi krahun e djathtë të mbrojtjes në vend të Mërgim Vojvodës së suspenduar, ndërsa Donat Rrudhani zuri vendin e Leart Paqaradës në krahun e majtë. Jashtë, në krahasim me ndeshjen ndaj Rumanisë, mbeti edhe sulmuesi Fisnik Asllani.
Kosova për herë të tretë ka fituar ndaj Qipros. Në vitin 2022, “Dardanët” kishin fituar 2:0 në Larnaca e 5:1 në Prishtinë.
Qiproja në asnjë moment nuk rrezikoi fitoren e Kosovës. Në ranglistën e FIFA-s, Kosova është e 106-ta, ndërsa Qiproja e 127-ta. Në kualifikimet për “Euro 2024”, qipriotët i kanë humbur të gjitha tetë ndeshjet.
Lojtarët e Kosovës luajnë në nivel dukshëm më të lartë se ata të Qipros, në nivel klubesh. Kështu që fitorja ishte e pritur dhe një detyrë që duhej kryer. Por, megjithatë, është e rëndësishme për shkak të rrethanave të krijuara.
Ndeshjen e ardhshme në kuadër të Grupit 2 të Ligës C, Kosova e luan më 12 tetor në Kaunas ndaj Lituanisë. Edhe në atë ndeshje Kosova e ka “detyrë” fitoren.