Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, që do të mbahen të martën, po përcillen me interes edhe në Kosovë.
Për garën mes ish-presidentit Donald Trump dhe zëvendëspresidentes Kamala Harris qytetarët në Kosovë shprehën një preferencë.
Ndonëse thanë se të dy kandidatët kanë qasje pozitive ndaj Kosovës.
“Kamala Harris… Është vijë e partisë më stabile, më e sigurt. Ekziston mundësia të vazhdojë si ka qenë deri tash, gradualisht. Ai më shpejt i kryen punët, Trumpi”, u shpreh një qytetar.
“Megjithëse Trumpi si ekonomist është shumë i fortë, por edhe Harrisi si juriste shumë e pëlqyeshme. Bën vaki që edhe unë do ta votoja”.
“Edhe pse për Trumpin nuk jam, ai që duhet të japë ndonjë mendim, sepse s’kam të bëj asgjë me të në kuptimin direkt. Por, sjelljet, shprehjet pak po më çojnë kah Kamala Harris”, u shpreh një tjetër.
Njohësi i zhvillimeve politike Mazllum Baraliu, tha se gjatë mandatit të parë të Trumpit është lidhur një marrëveshje e dëmshme për Kosovën.
“Nuk ka rëndësi kush fiton, marrë parasysh drejtimet, karrierën e profesionet e tyre, zonja Harris për shembull, ajo ka një karrierë të suksesshme në mbrojtjen e ligjit, pra sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut. Ndërsa në anën tjetër kemi një kandidat atipik, i pazakonshëm, do të thosha unë jostabil në kuptimin e qëndrimeve por edhe radikal në ato qëndrimet e tij në politika të shpejta ku mund të ketë ndikim në gjithë botën por edhe në Kosovë”, ka deklaruar Baraliu.
Më e rezervuar u shpreh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz.
Ajo theksoi se kosovarët janë populli më proamerikan në botë dhe se mbështetja e Amerikës është përtej partive.
“Prandaj, duke kryer detyra e shtëpisë në Kosovë, duke i quar përpara reformat, agjendën e reformave, duke e vendosur sundimin e ligjit në çdo cep të Kosovës, duke luftuar krimin e organizuar, atëherë miqësia dhe partneriteti me Amerikën kështu forcohet, nuk forcohet me fjalë, nuk forcohet me deklarata, por forcohet me punë konkrete”, është shprehur tutje Gërvalla.
E nga një matje e opinionit e bërë nga Gallup del se shumica e qytetarëve në shtetet evropiane mbështesin kandidaten demokrate.
E kandidati republikan ka dalë më i preferuar në Serbi, Hungari e Bullgari e disa vende në lindje të Evropës.