Shkollat në Kosovë do të vazhdojnë ta kenë në fuqi ndalesën e shamisë.
Kjo u bë e ditur në një konferencë për media të mbajtur nga ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, derisa foli për përgatitjet e fillimit të vitit të ri shkollor.
Ajo tha se fushata e cila bënte thirrje për ndryshimin e Udhëzimit Administrativ (UA) në favor të lejimit të mbajtjes së shamisë në shkolla, ka qenë e paqëndrueshme.
“Gjithë kjo fushatë që është ngritur kohëve të fundit, nuk është të themi e bazuar dhe e qëndrueshme. Është i përcaktuar qartë karakteri i shtetit tonë dhe i institucioneve publike”, theksoi Nagavci.
Ministrja tha se UA-së së cilës i janë referuar grupi iniciator i ndryshimit të saj, ka të bëjë me mbarëvajtjen e punës në shkollat e mesme të larta, por siç tha ajo, “e vërteta është që rekomandimet janë dhënë që ai Udhëzim të mbetet në fuqi dhe ne nuk mund ta ndryshojmë një nen specifik”.
“Udhëzimi do të mbetet në fuqi dhe do të shohim tutje vetëm se si po e rregullojmë në aspektin formal-ligjor. Ndërsa sa i përket të drejtës për shkollim, ajo është e garantuar dhe askujt nuk i mohohet e drejta për të marrë pjesë në shkollat tona”, përfundoi Nagavci lidhur me këtë çështje.