Kosovë/ Mësimi parauniversitar shtyhet deri më 26 shtator

Ministri i Shëndetësisë dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës janë takuar sot për të diskutuar mbi masat anti-COVID pas 13 shtatorit.

Aty është vendosur që shkollimi parauniversitar do të pezullohet deri më 26 shtator.

MSH-ja ka rekomanduar që të vazhdohet me masat në fuqi dhe mësimi fizik të mos fillojë as më 13 shtator siç ishte paraparë.

Ministri Arben Vitia informoi kryetarët e Komunave me propozim masat e reja që pritet të hyjnë në fuqi pas datës 13 shtator dhe do të vlejnë deri me 26 shtator 2021:

Mësimi në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar nuk fillon para datës 26 shtator.

Lejohen takimet vetëm deri në 20 persona duke mbajtur distancën 1.5 metra.

Institucionet publike punojnë vetëm me staf esencial.

Gastronomia vazhdon si edhe masat e deritashme.

Në pikat kufitare nga 13 shtatori mbi moshën 16 vjeçare janë të obliguar të paraqesin certifikatën e vaksinimit ose testet relevante si deri më tani.

Qendrat kulturore dhe institucionet e kulturës në varësi të MKRS dhe Komunave pezullojnë aktivitetet deri me 26 shtator.