Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se tatimi në pronë është përgjegjësi e komunave. Në një intervistë në emisionin “60 Minuta” të KTV-së Krasniqi ka thënë se Ministria e Financave e ka bërë vetëm vlerësimin e pronave.
“Ministria e Financave ka nënshkruar një deklaratë për secilën specifikë të kësaj çështje. Tatimi në pronë është përgjegjësi e komunës, Ministria e Financave ka bërë vetëm një vlerësim të vlerës reale të pronave, kjo është e vërteta dhe tani është pjesë e Komunës të vendosë për përgjegjësitë e saj në bazë të ligjit”, është shprehur Krasniqi.
Të hënën dhe të martën dhjetëra qytetarë kanë reaguar në rrjete sociale, pasi faturat e tatimit në pronë iu janë dyfishuar në krahasim me faturat e vitit të kaluar.
Pas reagimeve të shumta Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, ka bërë të ditur se ajo bazuar në Ligjin për Tatim në Pronë, obligohet që në baza të rregullta të bëjë vlerësimin e pronave të paluajtshme, ndërsa shkallën e tatimit e përcaktojnë vetë komunat.
Ndërkaq në Komisionin Parlamentar për mbikëqyrje të financave ministri Hekuran Murati ka thënë se komunat kanë qenë të njoftuara për vlerësimin e ri e se s’kanë pasur vërejtje.
Por sipas Asociacionit të Komunave të Kosovës, tatimi në pronë është rritur si pasojë e vlerësimit të pronave që e ka bërë Ministria e Financave dhe se komunat nuk kanë ndryshuar shkallën e tatimit në pronë.
“Fatura e tatimit në pronë përmban dy elemente mbi bazën e të cilave përcaktohet shuma e kësaj pagese: Vlera e pronës për metër katror (m/2) e cila përcaktohet nga Ministria e Financave dhe Transfereve (Departamenti i Tatimit në Pronë) dhe norma tatimore e cila përcaktohet nga komunat”, thuhet në reagimin e Asociacionit.
Sipas tyre me rritjen e çmimit të pronave, pa u rritur norma tatimore nga komunat, është rritur automatikisht vlera e faturës së tatimit në pronë.
“Ajo çka është varur nga komunat nuk ka ndryshime, sepse ato mbeten të përkushtuara që të mos bëjnë ngritje në këtë kohë të vlerave të taksave për qytetarët, sidomos në këtë kohë të krizës ekonomike dhe rritjes së vazhdueshme të shumicës së artikujve. Me këtë rast, Asociacioni i Komunave të Kosovës kërkon edhe njëherë që sa më shpejt të procedohet në Kuvend, Ligji i ri i Tatimit në Pronë, ku është kërkuar që norma tatimore aktuale të ulet nën 0.15%”, thuhet në reagim.
Rritja e vlerës së tatimit në pronë është kundërshtuar nga partitë opozitare në Kosovë.