Presidenti rus Vladimir Putin do të fillojë aneksimin zyrtar të 15 për qind të territorit ukrainas të premten, duke e kororëzuar me një ceremoni në Kremlin gjatë së cilës katër rajone ukrainase do të shpallen pjesë e Rusisë, raportoi Reuters.
Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov , tha se ceremonia do të zhvillohet në orën 15:00 me orën lokale të premten në Pallatin e Madh të Kremlinit në sallën St. Gjatë ceremonisë, sipas Peskov, do të nënshkruhen “marrëveshjet për pranimin e territoreve të reja në Federatën Ruse”.
Marrëveshjet do të nënshkruhen “me të katër territoret që mbajtën referendume dhe i dërguan kërkesat e duhura palës ruse”, tha Peskov.
Ukraina dhe Perëndimi i kanë hedhur poshtë referendumet e mbajtura në rajonet Donetsk, Luhansk, Zaporizhia dhe Kherson shtatë muaj pas pushtimit rus si mashtrime të paligjshme.
Vendimi i Putinit për të përfshirë këto rajone në Rusi do të thotë se Moska do të aneksojë një zonë të Ukrainës lindore dhe jugore, afërsisht me madhësinë e Portugalisë ose Hungarisë, me një popullsi prej rreth 4 milionë banorësh. Aneksimi i asaj pjese të Ukrainës do t’i sigurojë Rusisë një lidhje të drejtpërdrejtë me gadishullin e Krimesë, të cilin e aneksoi dhe e shpalli pjesë të Rusisë në vitin 2014.
Peskov tha se Putin do t’i drejtohet parlamentit rus më vonë. Pas ceremonisë dhe fjalimit, ai do të takohet me krerët e rajoneve të Ukrainës të emëruar nga Moska, njoftoi Kremlini.
Një koncert festiv në Sheshin e Kuq është planifikuar për të premten në mbrëmje, por ende nuk dihet nëse presidenti rus do të marrë pjesë.
Autoritetet ruse kanë njoftuar më parë se pas aneksimit të territorit të okupuar ukrainas në Federatën Ruse, ata do t’i konsiderojnë sulmet në zonat nën kontrollin rus si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj Rusisë.
Duke shpallur referendume në katër rajonet e përmendura, Putin kërcënoi se do të përgjigjej me armë bërthamore nëse rrezikohet siguria kombëtare e Rusisë. Pas referendumit katërditor, media shtetërore ruse njoftoi se rezultatet treguan mbështetje të madhe për aneksimin e territoreve të pushtuara në Rusi. Banorët që u larguan nga zonat e pushtuara ditët e fundit treguan se njerëzit detyroheshin të shënonin fletëvotimet në rrugë nën kërcënimin e armëve. Pamjet nga mediat sociale treguan ushtarë rusë që mbanin kuti votimi nga shtëpia në shtëpi.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dënoi referendumet e javës së kaluar si një “mashtrim” dhe “një përshkallëzim të mëtejshëm në luftën e Putinit”.
Ka indikacione se Rusia mund të kufizojë lëvizjen e ukrainasve që jetojnë në territoret e pushtuara pas shpalljes së aneksimit.
Disa ukrainas, duke shkruar në një grup Telegram për njerëzit që largohen nga territoret e pushtuara, thanë se do të duhet të aplikojnë për një leje kalimi duke filluar nga e shtuna, 1 tetor. Kërkesa duhet t’i dorëzohet autoriteteve të okupimit. Ata që kalonin nga territoret e pushtuara raportuan radhë të gjata dhe qindra makina që prisnin të hynin në Ukrainë përmes pikës së vetme zyrtare të kontrollit për civilët e vendosur në rajonin e Zaporizhia.
Në fillim të kësaj jave, OJQ Helping to Leave, e cila ndihmon në evakuimin e ukrainasve nga territoret e pushtuara, raportoi gjithashtu se ukrainasit që përpiqeshin të kalonin në Bashkimin Evropian nga Rusia u ndaluan nga shërbimet ruse të sigurisë.