Kritikohet Vuçiq se pse “Air Serbia” nuk do të fluturojë në Prishtinë, kjo është përgjigja e tij

Të hënën, Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës nënshkroi në Berlin një marrëveshje me aviokompaninë gjermane ‘Lutfhansa’, për të hapur linjën ajrore Beograd-Prishtinë.

Presidenti serb ka thënë se është bombarduar nga populli serb pasi opozita e ka ngritur çështjen se pse nuk ka marrëveshje me “Air Serbia”, shkruan b92.

Sipas tij nuk është e përshtatshme që “Air Serbia” të fluturojë për shumë arsye, transmeton lajmi.net.

“Nuk është e përshtatshme që Air Serbia të fluturojë për shumë arsye. Air Serbia do të duhet të nënshkruajë marrëveshje me autoritetet e tyre (Kosovës) të aviacionit, drejtoritë dhe aeroportin. Atëherë ishte shumë më e lehtë për ta bërë atë përmes Lufthansa dhe ne i kërkuam KFOR-it të ndërmjetësojë”, tha Vuçiq për RTS.

Duke komentuar ato që u thanë pas nënshkrimit të marrëveshjes kërcënohet pavarësia e Kosovës, Vuçiq është shprehur “në Prishtinë, pavarësia kërcënohet sapo të shohin një serb”.

Sidoqoftë kjo marrëveshje nuk sqaron rreth hapjes së korridoreve të reja ajrore në mënyrë që fluturimet nga Prishtina për destinacione tjera të kalojnë nga Serbia.

Aktualisht të gjitha fluturimet në Prishtinë kryhen vetëm përmes një korridori ajror që lidh Republikën e Kosovës me Maqedoninë e Veriut. Korridoret e reja do ta shkurtonin kohën e fluturimit për rreth 15-20 minuta dhe do ta ulnin koston e operimit për kompanitë ajrore.

Në përputhje me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Marrëveshjen Teknike Ushtarake të vitit 1999, por edhe me ligjet e tanishme në Kosovë, komandanti i misionit të KFOR-it, përkatësisht NATO-s, është përgjegjës për sigurinë e hapësirës ajrore të Kosovës.

Hapësira e ulët ajrore e Kosovës nën nivelin e fluturimit 205- deri në 6205 metra menaxhohet nga Agjencia i Shërbimeve të Navigacionit Ajror të Kosovës, ndërsa hapësira e lartë ajrore mbi nivelin e fluturimit 205 – deri në 6205 metra, është rihapur për fluturimet civile më 3 prill të vitit 2014 dhe ende është nën kontrollin e Hungarisë, përkatësisht të HungaroControl-it, i cili ofron shërbimet teknike të kontrollit të trafikut në këtë lartësi.

Në raportin e Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës për vitin 2018, thuhet se NATO vazhdon të udhëheqë bisedimet me autoritetet shtetërore të Kosovës dhe vendet fqinje për të normalizuar edhe hapësirën e ulët ajrore të Kosovës.