Shefi i diplomacisë së Kroacisë, Gordan Grliç Radman, ka inkurajuar sot pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian të njohin pavarësinë e Kosovës.
Ai u shpreh se një akt i tillë do të kontribuonte në stabilizimin e rajonit të Gadishullit të Ballkanit Perëndimor, përcjell Albinfo.ch.
“Kroacia inkurajon pesë anëtarët e tjerë të BE të njohin Kosovën, pasi kjo do të kontribuonte në stabilizimin e rajonit dhe vetë Kosovës,” tha Radman Grliç për gazetarët në konferencën ndërkombëtare GLOBSEC në Bratisllavë, raporton Kosova Press.
Sipas tij, respektimi i integritetit territorial të shteteve është thelbësor për stabilitetin e rajonit.
Ai thotë se kjo gjë mund të bëhet pa pasur nevojë të shkohet në idenë për ndryshim kufijsh, një tezë kjo, e cila ka qarkulluar në media.
“Integriteti territorial i shteteve të Ballkanit duhet të ruhet dhe respektohet, pa rikrijuar kufijtë, siç kemi dëgjuar muajt e fundit duke qarkulluar disa letra të famshme, të cilat ishin të drejtuara në atë drejtim”, tha Radman.
Qipro, Greqia, Rumania, Spanja dhe Sllovakia janë pesë vendet e BE-së që ende nuk pranojnë Kosovën si shtet të pavarur.