Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, të shtunën në mëngjes është sulmuar fizikisht nga dy persona, ka konfirmuar Policia e Kosovës. Sipas Policisë, dy të dyshuarit janë arrestuar menjëherë pas sulmit.
Muhaxheri ka pësuar lëndime trupore në incidentin që ka ndodhur në rrugën “Bill Klinton”.
Të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.
Për rastin ka reaguar menjëherë kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i cili ka kërkuar nga organet e drejtësisë të japin rezultate të shpejta pas sulmit fizik ndaj kryetarit të Pejës.
Në një status në Facebook, Abdixhiku ka thënë se këto sulme nuk do ta ndalin e as ta frikësojnë Muhaxherin.
“Gaz Muhaxherin as s’mund ta ndalin e as s’mund ta frikësojnë. Është i gatuar ndryshe ky burrë! Organet e drejtësisë të japin rezultate të shpejta e të mbajnë përgjegjës ata që me argumentin e dhunës e urrejtjes provojnë të ndalin një udhëheqës e njeri të lirë”, ka shkruar ai.
Në një reagim tjetër, LDK-ja e dënoi ashpër sulmin ndaj Muhaxherit, duke thënë se veprime të tilla nuk i shërbejnë demokracisë.
“Lidhja Demokratike e Kosovës me shqetësim pranoi lajmin për sulmin ndaj kryetarit të komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri. LDK dënon ashpër këtë sulm të dhunshëm dhe po ashtu kërkon nga autoritetet rezultate të shpejta për këtë çështje si dhe personat të mbahen përgjegjës para drejtësisë. Sulme të tilla nuk i shërbejnë demokracisë dhe janë nxitëse në këtë periudhë. Dhuna nuk ka vend në shoqërinë tonë, dhe veprime të tilla kërcënojnë sigurinë dhe mirëqenien e udhëheqësve tanë. LDK në këto momente qëndron me kryetarin Muhaxheri dhe familjen e tij”, thuhet në reagim.