Dhjetëra punëtorë sezonalë vijojnë të bllokuar në pikën e kalimi kufitar në Qfë Thanë pasi që prej ditë së premte është mbyllur dogana nga pala maqedonase.
Policia kufitare e vendit fqinj nuk lejon kalimin e tyre pasi dyshon që qytetarët do të shkojnë për të punuar ilegalisht në Maqedoninë e Veriut. Punëtorët thonë se janë gati 150-200 veta që janë bllokuar prej ditës së djeshme.
Ata shprehen se me punën që kryejnë në shtetin fqinj mbajnë familjet. Një prej tyre u shpreh se nuk lejohet të kalojnë për shkak të një ngjarje kriminale që ka ndodhur në Maqedoni.
“S’kemi nga shkojmë. Këtu vijmë e punojmë për një copë bukë. Na e prenë dhe na e hoqën bukën e fëmijëve. Me çfarë t’i mbajmë”, tha një qytetar.
“Nuk e kuptojmë nga kush varemi. Do kthehemi mbrapsht. Ku do vemi ne? Ku do hamë? Këtej s’ka punë fare. Tani vete aty ai thotë do kthehemi mbrapsht. Ku varet Maqedonia? Është me Brukselin? Shqipëria është me Brukselin apo me Arabinë, me Afrikën? Me cilët jemi ne? Ne nuk e marrim vesh ku jem. Është vrarë një person thonë këta dhe nuk kemi siguri. Ata nuk shpjegojnë fare për sa do ta mbajnë këtë”, tha një punëtor tjetër.