Një bazë e vjetër ajrore në Shqipëri pritet të kthehet në bazë taktike të operimeve për NATO-n. Puna ka nisur në janar për të përditësuar bazën ajrore të Kuçovës në hapësirë moderne të operimeve dhe për ta kthyer në një nikoqire të aeroplanëve modernë luftarakë.
NATO-ja dhe Shqipëria kanë ndarë 50 milionë euro për bazën ajrore të Kuçovës dhe projektet e renovimit. Baza pritet të jetë e gatshme kah fundi i vitit 2023.
Baza ajrore, rreth 85 kilometra larg Tiranës, dikur njihej si baza ajrore e “Qytetit të Stalinit”, ka shkruar Associated Press të dielën.
Viktor Vangjeli kishte shërbyer për 27 vjet në Kuçovë me MiG-19 para se të pensionohej në vitin 1990.
“Në situata atëherë intensiteti i fluturimit në këtë regjiment ka qenë jashtëzakonisht i ngarkuar. Fluturojshe ditë për ditë. Kishte edhe përgjegjësinë që hapësirën ajrore e mbronte ky regjiment, deri në vitin 1962. Intensiteti ishte shumë i ngarkuar”, ka thënë 83-vjeçari për AP-në.
Sipas tij, shndërrimi i Kuçovës në hapësirë moderne të NATO-s do të kishte ndikim pozitiv shoqëror e ekonomik për zonën, por edhe për gjeneratat e ardhshme të pilotëve shqiptarë që do të mund të trajnoheshin në aeroplanë modernë.
Kolonel Adrian Kuli ka thënë se baza ajrore, që do të jetë e para e NATO-s në Ballkanin perëndimor, do t’i sillte përfitime të shumta komunitetit.
Pas rënies së regjimit komunist në vitin 1990, Shqipëria kishte rreth 200 MiG (lloje të aeroplanëve luftarakë sovjetikë) në tri baza ajrore, tash të shkatërruara.
Aeroplanët e vjetër ruso-kinezë u ndalën së fluturuari më 2005.
Për disa vjet, aeroplanët e vjetër Antonov-2 u përdorën për qëllime agrare apo të tjera.
Forcat ajrore të Shqipërisë tani kanë disa helikopterë Cougar dhe pritet të marrë edhe Blackhawk, por jo edhe aeroplanë.
Shqipëria është pjesë e NATO-s që nga viti 2009.