Rrugët në Serbi janë mbushur me grafite nacionaliste, nëpërmjet të cilave është dhënë një mesazh “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”. Analistët në Beograd këto mesazhe i quajnë të dëmshme për Serbinë dhe kritikojnë mosreagimin e shtetit ndaj këtyre veprimeve.
Mesazhi “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” është militarist dhe thirrje për dhunë. Kështu vlerësojnë aktivistët në Beograd shfaqjen e grafiteve nëpër rrugët e Beogradit dhe qytete tjera. Ata kanë shprehur shqetësimin për mungesën e reagimit të shtetit.
“Këto grafite janë pasojë e mënyrës së politikës së Serbisë ndaj Kosovës, mungesës së dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, nëse kemi negociatorë që nuk mund të ulen bashke pa ardhur gjysma e botës. Kjo është pasoje kur të gjithë thonë se duan paqe, dhe kur paqja nuk është zgjedhje politike, atëherë grupe të tilla marrin një hapësirë dominuese në publik”, thekson Sofija Todoroviq, nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut.
Edhe pse grafite me mesazhe kërcënuese “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” nuk janë të firmosura, besohet se pas tyre qëndrojnë grupe të djathta.
Sipas aktivistet në mesazhe të tilla nuk ka as patriotizëm e as traditë, sepse flitet për angazhimin e ushtrisë kundër një kombi. Dhe për këtë këto mesazhe shihen si politike me synim të mashtrojnë opinionin, raporton RTK.
“Realiteti nuk ka lidhje me ato ëndrrat e nacionalistëve serbë. Kjo flet në favor të faktit se është një reagim humbës ndaj krijimit të një narrative që nuk ka fare qëllim të realizohet. Ata duhet të kuptojnë, më vjen keq, por Kosova po ecën në rrugën e saj”, tha shkrimtari Vlladimir Arsenijeviq.
Kurse, Nenad Shebek, ish gazetar i BBC-së, ka thënë se është krejtësisht e kotë të mendohet qe ushtria e Serbisë do të kthehet në Kosovë kur Serbia është e rrethuar nga vendet e NATO-s.
“Prandaj, ai grafit është mbi të gjitha budallallëk, i pasaktë dhe i rrejshëm dhe plus është një lloj thirrje për dhunë”, tha ai.
Organizatat joqeveritare po përpiqen të pastrojnë këto grafite, por nga autorët marrin mesazhe se nëse fshihet një grafit, ata do të bëjnë 100 të njëjtat.