Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili po synon të drejtojë qeverinë e re të Kosovës, ka thënë për KosovaPress, se diasporën do ta bëjnë pjesëmarrës në vendimmarrje dhe se të gjitha planifikimet dhe vendimet do t’i marrin bashkë me mërgatën. Ai ka thënë se Kosova ka Ministri të Diasporës por që nuk ka pasur diasporë në ministri.
Kurti i cili është njeriu me i votuar në zgjedhjet e 6 tetorit, ka thënë qeveria e drejtuar nga ai do të sjellë mërgatën brenda shtetit të Kosovës, dhe ashtu sipas tij, do të zhvillohet ekonomia.
Albin Kurti ka thënë për KosovaPress se diasporën do ta vendosin edhe brenda institucioneve të Kosovës, dhe kudo në fushën ekonomike.
Sipas tij, ka nevojë për prodhim në ekonomi e punësim në shoqëri, para së gjithash për rininë dhe gratë.
“Është e vërtetë që kemi pasur nominalisht Ministri të Diasporës, është po ashtu e vërtetë që nuk kemi pasur diasporë në ministri dhe ne duam ta ndryshojmë këtë ashtu që diasporën tonë ta bëjmë pjesëmarrëse në vendimmarrje, dhe vendimet mos t’i marrim ne për diasporën pa diasporën, por bashkë me diasporën, për diasporën e për Kosovën. Në këtë kuptim edhe planifikimet, edhe vendimet do t’i marrim bashkë me ta sepse konsiderojmë që shkathtësitë e tyre, kultura e tyre e punës, përvoja e tyre në perëndim është e pazëvendësueshme me tjetër çka në Kosovë, dhe siç është diaspora jonë brenda kombit po jashtë shtetit, ne do ta sjellim edhe brenda shtetit, përveç brenda kombit, dhe në këtë mënyrë ta zhvillojmë ekonominë”, ka thënë Kurti.
Sipas Kurtit, deri tani diasporës nuk i janë krijuar kushte për investime, por këtë situatë do ta ndryshojnë me qeverinë e re, që siç theksoi ai, do të punojnë për sundim të ligjit dhe drejtësi të pakompromis.
“Meqenëse nuk mund të presim që do të kemi investime të mëdha të huaja përderisa ne nuk kemi krijuar kushte as për investimet e mërgatës sonë, diasporës sonë, dhe pikërisht këtë gjë do të bëjmë, me sundim të ligjit, me drejtësi të pakompromis, me ç ‘rast do të themelojmë edhe Gjykatën Komerciale, dhe do ta ndalim dhe ndalojmë korrupsionin në qeveri, ndërkaq do ta luftojmë kudo e tërë kohën si në institucione po ashtu në shoqëri. Do ta zbusim varfërinë, që të rritet kërkesa agregate dhe fuqia blerëse, dhe gjithashtu synojmë që ta bëjmë më të kollajshme qasjen në financa nëpërmjet bankës zhvillimore me kredi të buta e afatgjatë”, tha Kurti.
Kurti i cili pret të marrë drejtimin e Qeverisë së Kosovës, po marrë pjesë në kongresin e dytë ekonomik të Unionit të Bizneseve, i cili po mbahet në Frankfurt të Gjermanisë.
Sipas tij, ky kongres është dëshmi e shqiptarëve të suksesshëm, dhe një dëshmi e shqiptarëve të organizuar.
Ai tha se qeveria e re e drejtuar nga ai, do të jetë dëshmi e sigurisë së investimeve për të gjithë ato biznese, dhe njëkohësisht e krijimit të urës për invesimet gjermane dhe të tjera në Kosovë./KsP/