Javëve në vijim, Qeveria e Kosovës pritet të udhëheqë procese të rekrutimit për borde të rregullta të drejtorëve në disa ndërmarrje publike, ka bërë të ditur ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Ajo ka deklaruar se ndërmarrjet publike duhet të udhëhiqen nga gra dhe burra profesionistë, që kanë vullnet për t’i shtyrë ato drejt arritjes së potencialit.
Duke folur për ndërmarrjet publike dhe proceset e rekrutimit, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se qeverisja e tij ka siguruar meritokraci dhe transparencë të plotë. Ai thotë se Qeveria ka vendosur një standard të lartë të mbarëvajtjes së tyre.
Përmes një videomesazhi, Kurti dhe Rizvanolli kanë bërë thirrje që qytetarët të aplikojnë për këto pozita, duke premtuar transparencë dhe reforma.
“Ndërmarrjet publike duhet të ofrojnë shërbime cilësore për qytetarët dhe bizneset, si dhe të kontribuojnë në buxhetin e Republikës. Prandaj duhet të udhëhiqen nga profesionistë të aftë, me integritet edhe personal, e të cilët kanë për qëllim zhvillimin e ndërmarrjes. Jo zhvillimin e interesave të ngushta që mandej i bën ato ndërmarrje barrë për shtetin. Që kjo të arrihet, ne kemi nevojë për vëmendjen dhe interesimin e secilit profesionist të fushës të cilët prej kohësh kanë pasur dëshirë të kyçen”, ka thënë Kurti.
“Ndërmarrjeve tona publike u duhen gra e burra profesionistë me integritet e vullnet për t’i shtyrë ato drejt arritjes së potencialit të tyre të plotë. Gra e burra që kanë vizionin e aftësinë për të planifikuar e zbatuar reforma që do t’i shndërrojnë ndërmarrjet tona në ndërmarrje konkurruese e që mund t’i përmbushin kërkesat e qytetarëve.