Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar sot, Nenad Rashiq, ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Qeveria e Kosovës njofton se kryeministri Kurti e uroi Rashiqin për detyrën dhe përgjegjësitë e reja institucionale në Republikën e Kosovës.
Ky ndryshim ndodhi pasi që kohë më parë Lista Serbe u tërheq nga institucionet.
Këtë postë më parë e mbante kryetari i Listës Serbe Goran Rakiq, i cili dha dorëheqje nga pozita e ministrit në Qeverinë e Kosovës me 5 nëntor.
Kryetari i Listës Serbe, në mbledhjen e përfaqësuesve politikë dhe institucionalë të serbëve kishte thënë se kishin vendosur që serbët të largohen nga të gjitha institucionet politike, nga Kuvendi, Qeveria dhe 4 komunat, por edhe nga drejtësia, policia dhe administrata në Kosovë.
Këto vendime sipas Rakiqit do të jenë në fuqi derisa Prishtina të fillojë të respektojë marrëveshjet dhe ligjin, derisa të tërheqë vendimin për tabelat dhe të formojë Asociacionin.