Kryeministri, Albin Kurti, në përgjigjen e tij ndaj pyetjes së deputetit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, se si është situata me energjinë elektrike në vend, ka thënë se Qeveria ka marrë të gjitha masat e duhura duke dërguar në remont disa nga blloqet e termocentraleve në atë mënyrë për të marrë rendiment sa më të lartë gjatë sezonës së dimrit.
“Kapacitetet gjeneruese të termocentraleve gjatë sezonës së verës janë në remont të rregullt tek ne, njëri bllok i ‘Kosovës B’ është në remont të rregullt dhe pritet të përfundojë gjatë këtij muaji dhe një bllok tjetër i Kosovës B do të hy në remont gjatë muajit gusht dhe do të zgjasë rreth 25 ditë”, ka thënë Kurti nga foltorja e Kuvendit të Kosovës si përgjigje në pyetjen e Haradinajt.
“Edhe në ‘Kosovën A’ do të ketë remont të rregullt jashtë sezonës së dimrit, këto masa janë ndërmarrë që kapacitetet gjeneruese të termocentraleve tona të jenë në gjendje sa më të mirë gjatë sezonës me konsum të lartë, ndërsa KOSTT-i dhe KEDS-i janë duke e mirëmbajtur rrjetin energjetik në vazhdimësi”.
Kurit më tej ka thënë se ekzekutiv po përgatit një masë për t’u dalë në ndihmë një shtrese të konsumatorëve shtëpiak përmes subvencionimit.
“Ministria është duke e përgatitur edhe një masë për efiçiencë të energjisë për konsumatorët shtëpiakë. Përmes subvencioneve, do të ndihmohen konsumatorët që të ulin shpenzimet e enrgjisë elektrike. Ndihma më e madhe do të koncentrohet te rastet e skemës sociale dhe te rastet që janë në nevojë, por s’janë të përfshirë në skemën sociale”, tha ai.
Haradinaj, i cili situatën energjetike në vend e ka quajtur të rënduar, fajin për këtë ja ka atribuuar Qeverisë, e cila, sipas tij, ka hequr dorë nga ndërtimi i kapaciteteve energjetike me thëngjill, si dhe nga gazsjellësi amerikan.
E në përgjigjen e tij, Kurti, ka dhënë shembull Gjermaninë dhe shtetet e tjera evropiane, se si këta të fundit kanë rihapur kapacitetet gjeneruese aktuale të energjisë me thëngjill duke mos ndërtuar ato të reja.
“Rihapja po ndodh për shkak të mungesës së gazit në treg, Kosova nuk është e varur dhe nuk do të jetë e varur nga prodhimi i energjisë elektrike”, ka shtuar Kurti.
Sipas Kurti, gjendja energjetike në Evropë, nuk duhet lexuar vetëm nga titujt e lajmeve, por ato duhen analizuar e lexuar thellësisht deri në fund.
“Evropa është në krizë energjetike shkaku i varësisë nga termocentralet me gaz, projekti i gazsjellësit edhe nëse do të ishte në proces të realizimit nuk do të ishte në funksion gjatë krizës energjetike që po kalon e gjithë Evropa”.