Kurti: Jemi të parët, koalicioni ynë fitues do ta formojë qeverinë e re

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar pas rezultateve preliminare në vend.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se partia e tij në koalicion me partnerët e saj, Partia Guxo dhe Alternativa, i ka fituar zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit dhe se do ta formojë Qeverinë e re të Kosovës.

“Zgjedhjet ishin të lira, demokratike dhe të ndershme. Falënderoj votuesit e LVV-së dhe të koalicionit tonë fitues. Jemi të parët dhe ky është konfirmim për qeverisjen tonë të mirë dhe progresive. Koalicioni ynë fitues do ta formojë Qeverinë e re, pra Kurti 3”, tha Kurti në një konferencë për media në Prishtinë.

Kurti nuk dha ndonjë shifër se sa për qind të votave mund t’i ketë fituar partia e tij.

“Rezultatet zyrtare nuk i kemi, por ato fillestare tregojnë se të dytën dhe të tretët edhe po t’i bëjnë bashkë votat, nuk bëjnë sa Vetëvendosje”, shtoi ai.