Kurti: Marrëveshjen me LDK-në do ta bëjmë 3-4 ditë pas certifikimit të rezultateve

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka folur para mediave pas takimit që e pati me Isa Mustafën, kreun e LDK-së, raporton Gazeta Express.

Kurti pas takimit që zgjati pak më shumë se një orë, tha se janë dakorduar që të takohen përsëri javën tjetër.

“Patëm një takim konstruktiv me kryetarin e LDK-së me ç’rast në të njëjtën kohë patëm edhe takimin e grupeve tona punuese që po e harmonizojnë programin e ardhshëm qeverisës. Ne diskutuam për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe u morëm vesh që një orë pas certifikimit të rezultatit, do të takohemi që ta bëjmë marrëveshjen brenda tre-katër ditësh, pastaj jemi marrë vesh që të merremi vesh menjëherë pas certifikimit të rezultateve, me ç’rast ftesa ime e përgjigjja pozitive e kryetarit Mustafa tashmë është e dhënë. Ne do të takohemi një orë pas certifikimit të rezultateve, ne do të takohemi për ta kryer brenda 72 orëve marrëveshjen përfundimtare për koalicionin e ardhshëm qeverisës”, shtoi lideri i VV-së.

Kurti tha se marrëveshja e koalicionit tashmë i ka 26 faqe tekst.

“Do të vazhdojnë takimet mes grupeve tona punuese për harmonizimin e programit qeverisës që deri në këto çaste i ka 26 faqe tekst. Kemi dëshmuar një kulturë të re të formimit të qeverisë, me fjalë të tjera u dakorduam për një tempo të re”, përfundoi ai.