Kryeministri Albin Kurti në seancën e Kuvendit ka raportuar para deputetëve për strategjinë e qeverisë së tij në dialogun me Serbinë në prag të takimit me Aleksander Vuçiqin në Bruksel.
Kurti ka kritikuar qeveritë e kaluara në raport me qasjen që kanë pasur në dialog, duke thënë se janë bërë incidente në terren të kontrolluara mes palëve negociuese siç ishte arrestimi mbase i orkestruar i Gjuriqit e të ngjashme.
“Ngecjet në implementim dhe përshtypja për ritmin shumë të ngadaltë dhe sfidues të normalizimit të raporteve kishin krijuar një terren të frytshëm për degjenerim të rrezikshëm të agjendave paralele dhe të koordinuara të palëve negociuese. Përmes incidenteve në terren të kontrolluara, të koordinuara dhe me faza siç ishin fushata kundër pjesëtarëve të FSK-së nga komuniteti serb, vrasja e Oliver Ivanoviqit, arrestimi mbase i orkestruar i Gjuriqit i cili u lirua pa asnjë gjobë në fund, treni i famshëm serbo-rus, shëtitjet në Ujman dhe të ngjashme. Synohej pra me të gjitha këto krijimi i përshtypjes se normalizimi mund të arritej vetëm përmes ndarjes së Kosovës e cila pastaj popullit iu paketua si ide për shkëmbim territoresh”, ka thënë Kurti.