Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në takimet me rreth 20 senatorë dhe kongresistë amerikanë ka kërkuar që të largohen rreth 48 baza operative ushtarake dhe të xhandarmërisë serbe rreth kufirit me Kosovën.
Përveç kësaj kërkese, Kurti ka thënë se në këto takime i ka treguar lidhjet e fuqishme që Serbia ka me Rusinë dhe se sipas tij, qendra humanitare ruse në Nish dhe zyra e Rusisë brenda Ministrisë së Mbrojtjes në Beograd duhet të mbyllen.
“Në Shtëpinë e Bardhë unë u prita nga Jakob Sullivan, ku kam treguar lidhjet e fuqishme që Serbia i ka me Rusinë dhe në të gjitha takimet me senatorët kam kërkuar që të mbyllet qendra humanitare ruse në Nish, të mbyllet zyra e Rusisë brenda Ministrisë së Mbrojtjes në Beograd dhe gjithashtu një zonë rrotull kufirit të Kosovës me Serbinë ku ndodhen 48 baza operative ushtarake dhe të xhandarmërisë që janë ofensive të largohen prej aty. Të gjitha këto unë i kam diskutuar dhe mund të them që lidhja jonë me SHBA-në është tejet e fuqishme dhe e pathyeshme”, ka thënë ai në një intervistë për Zërin e Amerikës.
“Asociacion mund të ketë, por jo mbi baza etnike”
Për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, Kurti ka thënë se mund të ketë Asociacion por jo mbi baza etnike.
“Asociacioni nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese në Kosovë, mund të ketë Asociacion të Komunave, por jo mbi baza etnike. Në mënyrën se si është në frymë dhe germën e saj, nuk do të njihet. Duhet ta keni parasysh që në qendër të marrëveshjes për normalizim nuk është Asociacioni dhe nuk ka asnjë zyrtar amerikan që e thotë këtë gjë”, ka thënë ai.
Sa i përket luftës në Ukrainë, Kurti ka thënë se një pjesë e vëmendjes së Perëndimit duhet të shtohet në Ballkan, veçanërisht në Kosovë, pasi sipas tij, nuk ka javë që liderët në Kremlin nuk e përmendin Kosovën, të cilët e përdorin si shans që ta sulmojnë NATO-n.
“Serbia po kthehet në Bjellorusi të Ballkanit”
Lidhur me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, Kurti ka thënë se nuk ka hapa pas nga ana e Kosovës, pasi që Serbia është ajo që nuk i pranon krimet që i ka kryer në Kosovë dhe refuzon që të njohë pavarësinë e Kosovës.
“Presidenti Joe Biden e ka theksuar mirë që marrëveshja ligjore duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke, unë jam pro një marrëveshje me njohje reciproke, Serbia është ajo që duhet të ndryshojë. Përderisa Serbia thotë që kurrë nuk do t’ju njohim dhe presidenti serb thotë që masakra e Reçakut nuk ka ndodhur, atëherë këtu edhe ndodhet problemi që nuk e kemi një marrëveshje të tillë. Neve na nevojiten marrëdhënie normale me Serbinë, por për këtë duhet të ndryshojë Serbia, Kosova është në rregull, dhe në këtë insistojmë dhe konsiderojmë që tash është koha që Ballkani Perëndimor të integrohet brenda BE-së. Serbia me këtë qasje po e shndërron veten si një Bjellorusi të Ballkanit dhe këtu SHBA-ja e ka rolin përfundimtar për ta ndryshuar Ballkanin për të mirë”, ka thënë ai.
Kurti është deklaruar edhe rreth takimeve të tij me investitorë të huajë në Kosovë, për çka tha se vizita e tij në SHBA po ndodhë për të filluar negociatat për marrëveshje me korporatën amerikane, Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC), e cila vlen mbi 200 milionë dollarë.
“Në fund të muajit të kaluar isha vetëm dy ditë në Uashington D.C me rastin e funeralit të ish-sekretares Albright të cilës i kemi shumë borxh si Kosovë dhe pas një jave erdha sërish ku po i fillojmë negociatat për marrëveshje me MCC-në që është 256 milionë dollarë. Prej Uashington D.C fluturova në San Francisko ku takova shumë ndërmarrës që iu tregova se pse duhet të investojnë në Kosovë. Në Kosovë janë 650 komuna vetëm në fushën e teknologjisë së informacionit, ku 70 për qind prej tyre eksportojnë dhe ka indikatorët që të shndërrohet në një Estoni”, ka thënë ai.