Kurti: Pakoja për Rimëkëmbje Ekonomike do të përfshijë skemë kombëtare të punësimit
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve ka thënë se do të vazhdojë të jetë pranë tyre.
“1 Maji nuk është thjesht ditë feste e punëtorëve por ditë kur duhet reflektuar mbi të gjitha ditët tjera të punës. Përmes tyre e kuptojmë se kundërthëniet mes kapitalit dhe punës, pronarit dhe punëtorit, nuk kanë përfunduar. Prandaj sot kemi aq shumë sfida të punëtorëve para vetes”, është shprehur ai përmes Facebook.
Duke folur për sfidat që hasin punëtorët ai ka përmendur pakon e dytë pas asaj emergjente që ka theksuar se do t’i shërbejë punësimit.
“Me Pakon Fiskale Emergjente jemi siguruar që punëtorët që nuk mund të paguhen nga punëdhënësi të kompensohen nga Qeveria. Dhe, kjo të vlejë edhe për ata punëtorë në ekonominë joformale, por me kushtin që punëdhënësi t’ua sigurojë një kontratë njëvjeçare. Ndërsa për punëtorët që e humbin punën, kemi siguruar një asistencë të përkohshme deri në një zgjidhje më afatgjatë. Pikërisht Pakoja e dytë, ajo për Rimëkëmbje Ekonomike, do të përfshijë një skemë kombëtare të punësimit”, ka shkruar ai.
Njoftimi i plotë:
PËR PUNË, TË DREJTA, E DINJITET
Të dashura punëtore e të dashur punëtor,
Rëndësinë e punës që ju bëni çdo ditë nuk mund ta reduktojmë në një ditë. 1 Maji nuk është thjesht ditë feste e punëtorëve por ditë kur duhet reflektuar mbi të gjitha ditët tjera të punës. Përmes tyre e kuptojmë se kundërthëniet mes kapitalit dhe punës, pronarit dhe punëtorit, nuk kanë përfunduar. Prandaj sot kemi aq shumë sfida të punëtorëve para vetes.
Natyrisht se papunësia është sfida jonë e madhe. E papunësia e madhe është pasojë e qasjes së sistemit ndaj njeriut punëtor. Para luftës kishim shtetin okupator që na dëboi nga vendet e punës. Pas luftës kishim modelin neoliberal që s’na punësoi dot. Ndërkohë, arsimi e ekonomia ecën ndaras, e në hendekun e tyre po rritej rinia e papunë. Ndër pak fushat ku triumfojmë sot në Evropë është ajo e papunësisë më të lartë.
Por as me punësim nuk përfundojnë sfidat e punëtorëve. Puna pa siguri, pa kontratë, pa kontribute pensionale, pa sigurim shëndetësor, e pa të drejta për pushim me pagesë, është më shumë normë se përjashtim. Praktikisht, është marrëdhënie pa virtyt, që e zhvesh punëtorin nga dinjiteti, duke e reduktuar në fuqi të thjeshtë punëtore.
Kjo marrëdhënie duhet dhe do të ndryshojë. Kurse kjo pandemi e ka kthjelltësuar këtë domosdoshmëri. Pa punën e mjekëve e infermierëve, policëve e zjarrfikësve, bukëpjekësve e farmacistëve, pastruesve e shitësve, kapitali i milionerëve nuk ka asnjë vlerë. Pa të, ai as nuk krijohet e as nuk na shpëton nga sëmundja.
Duke e ditur se pasuria krijohet kolektivisht nga ju, por akumulohet individualisht nga pronarët, rishpërndarja bëhet e nevojshme. Ajo është drejtësia sociale që e mban bashkë popullsinë. Pa të, mundësitë e barabarta nga stadi i pabarabartë riprodhojnë pabarazi. E këtë drejtësi nuk e shtyen askush më shumë sesa një Qeveri socialdemokrate.
Me Pakon Fiskale Emergjente jemi siguruar që punëtorët që nuk mund të paguhen nga punëdhënësi të kompensohen nga Qeveria. Dhe, kjo të vlejë edhe për ata punëtorë në ekonominë joformale, por me kushtin që punëdhënësi t’ua sigurojë një kontratë njëvjeçare. Ndërsa për punëtorët që e humbin punën, kemi siguruar një asistencë të përkohshme deri në një zgjidhje më afatgjatë. Pikërisht Pakoja e dytë, ajo për Rimëkëmbje Ekonomike, do të përfshijë një skemë kombëtare të punësimit.
Si aktivist kam qenë gjithnjë pranë jush. Si Kryeministër në detyrë jam pranë jush. Në mbështetje të organizmit sindikal e të respektimit të Ligjit të Punës si mënyra e forma për avancimin e të drejtave tuaja. Duke i shfrytëzuar të gjithë mekanizmat institucionalë për ta rritur punësimin, sigurinë e të drejtat në punë.
Për aq sa shoqëria organizohet rreth ekonomisë e për mirëqenie, përpjekja do të vazhdojë. Për aq sa vazhdon përpjekja, do të jem krah jush. Për punë, të drejta, e dinjitet.