Kurti për luftën: S’duhet të themi “jo, s’na ndodh neve”, këtë gabim bënë perëndimorët me Rusinë

Kryeministri Albin Kurti thotë se Kosova duhet të jetë e kujdesshme pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës. Thotë se perëndimi ‘lehtësoi’ pushtimin rus duke qëndruar të ‘pavëmendshëm”.

“Nuk mund të thuash që rreziku nuk është real kur dihet se Serbia me Kremlinin i ka marrëdhëniet shumë të ngushta”, tha Kurti.

“Unë besoj se ajo çfarë po ndodh sot ka nisur shumë më herët”, shpjegoi ai.

“Ne duhet të jemi të kujdesshëm, vigjilentë, të mos frikësohemi, por nuk duhet të jemi të pavëmendshëm dhe të themi: “s’na ndodh neve”. Sepse kjo në fakt i jep fuqi kundërshtarit në masën e të cilit ne jemi të relaksuar, në masën në të cilën ne mendojmë se s’do të na ndodh gjë kjo neve na rrezikon që të na ndodh diçka”, tha Kurti në KTV.

“Unë besoj që fatkeqësisht, një pjesë e botës perëndimore që deklaronin muajve të fundit se ‘nuk do të ndërhyrë Rusia’ kanë bërë dëm dhe e kanë lehtësuar agresionin ushtarak dhe invazionin rus”, tha kryeministri.