Kurti: Plani B i Serbisë do të dështojë, siç dështoi Plani A

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas situatës së tensionuar në pjesën veriore të Kosovës, gjatë fjalës së tij të Kuvend, ka deklaruar se të gjitha planet e Serbisë për destabilizim të Kosovës do të dështojnë.

Shefi i qeverisë foli për emërimin e Nenad Rashiç’it në pozitën e ministrit pë Komunitete dhe Kthim, vendim ky që sipas tij, u instrumentalizua nga Beogradi, për të bërë ndarje në vija etnike.

“Dhe, po dëshirojnë që serbët në Jug si puna e ministrit të ri Nenad Rashiç, t’i shpallin tradhtarë, t’i shpallin shqiptarë, e kështu me radhë. Kjo është plani B i tyre, por siç ka dështuar plani A, do të dështoj edhe plani B”.

Për dallim nga mendësia hegjemoniste e Serbisë së udhëhequr nga Aleksandër Vuçiç, Kurti theksoi se kurrë s’do të bëjë ndarje në baza etnike në Kosovë.

“Unë kurrë nuk i barazoj serbët pavarësisht çfarë bëjnë e thonë. Beogradi zyrtar e ka kuptuar se nuk po mund t’i ndajë serbët dhe shqiptarët në shpjegimin e situatës në Kosovë”.

“Për ditë, serbë e shqiptarë takohen në Kosovë, bashkëpunojnë, komunikojnë. Nuk po arrijnë ta ndajnë në shqiptarë e serbë siç dëshirojnë ata”, shtoi ai.

“Pse dallojmë, ne nuk luftojmë”, shpjegoi numri një i qeverisë, por shtoi se “dikush e instrumentalizon dallimin sepse e dojnë territorin tonë dhe kur e panë që nuk kanë sukses me ndarjen në shqiptarë e serbë, e thanë serbët në Veri janë ndryshe nga këta në Jug, as kjo nuk është e vërtetë”.

Ndër të tjera, Kurti theksoi se Qeveria është në kontakt të vazhdueshëm me komunitetin ndërkombëtar në Kosovë, por sipas tij, duhet të kuptohet që edhe ata presin që institucionet të jenë në nivel të detyrës.

“Janë ambasadorët e QUINT-it, por ata nuk bëhen dot ministra. Ministra janë qytetarët e këtij vendit tonë aktualisht. E qeveritë vinë, shkojnë, por shteti ngelet, ai mbetet, ai është caku ynë, ai është kuptimi ynë”.

Duke komentuar kritikat ndaj Qeverisë për dërgimin e njësiteve policore në zonën e banuar me shumicë serbe, Kurti tha se “nuk janë vendime dhe veprime politike këto, janë vendime dhe veprime shtetërore”.

“Gjithçka është çështje e shtetit të Kosovës e ne përpiqemi me atë çka mundemi e dimë të jemi më së shumti në shërbim të kësaj dhe për këtë është mirë që ta kemi ndihmën e juaj edhe me mbështetje publike edhe me ide konkrete sepse besoj që qëllimin e kemi të përbashkët”.