Aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq, themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare, ka folur për kryeministrin Albin Kurti dhe marrëdhëniet e tij më pakicat në Kosovë.
Madje, ajo ka lavdëruar edhe gjuhën e tij ndaj pushtetit në Serbi.
“Albin Kurti flet për qeverisjen në Serbi si duhet të flasë opozita demokratike. Ai di gjithçka, nuk thotë asgjë të pasaktë, nuk shan dhe flet në mënyrë perfekte gjuhën e pakicës. Është sikur po përgatitet të kandidojë në zgjedhjet për President të Serbisë”, ka thënë ajo.
Kandiq është e njohur për deklaratat e guximshme të saj mbi krimet serbe në Kosovë. Ajo ka marrë një numër të madh vlerësimesh ndërkombëtare për punën e saj. Në vitin 2003 ka qenë edhe në listën e 36 heronjve evropianë, të botuar në revistën “Time”.
Në vitin 2005 është shpallur qytetare nderi e Sarajevës dhe person i vitit në Bosnje-Hercegovinë, sipas revistës “Slobodna Bosna”.
Me 2013 është nderuar me çmimin Hrant Dink në Turqi, ndërsa kongresmenët amerikanë Eliot Engel dhe Roger Viker e kanë propozuar Natasha Kandiqi në vitin 2018 edhe për çmimin Nobel për paqen.