Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova dëshiron të ketë një marrëveshje me Serbinë, e cila do të ishte e përqendruar te njohja e ndërsjellë. Porse, Serbia dhe presidenti i saj Aleksandar Vuçiq, nuk dëshiron marrëveshje, por dëshiron vetëm që Kosovën ta bëjë shtet jofunksional.
Kurti në intervistë për televizionin “N1 Sarajeva”, sërish ka përsëritur se nuk do të lejohet që në Kosovë të formohet një Republika Sërpska e dytë.
“Ne duam një marrëveshje, të shkojmë në dialog. Por, Beogradi e Vuçiqi duket se nuk e duan këtë. Ne duam marrëveshje që do ta ketë në qendër njohjen e ndërsjellë. Nëse Beogradi thotë se nuk do të ndodhë, atëherë është kundër marrëveshjes. Kosova nuk do të lejojë një Republika Sërpska brenda saj dhe e dimë mjaft mirë se Serbia e do pikërisht këtë. Ne kemi përvojë të hidhur nga Bosnjë-Hercegovina dhe jemi shumë të kujdesshëm që Serbia të mos e kopjoj atë model edhe në Kosovë. Serbia do një shtet të saj brenda Kosovës. Qëllimi i Serbisë është destruktiv, nuk do asgjë për serbët e Kosovës, vetëm do diçka kundër nesh. Beogradi që thotë se Kosova është shtet fals dhe kërkon Asociacionin, nuk është serioz. Po ta donte Asociacionin do ta njihte së pari Kosovën. Ata duan Asociacionin që Kosova të bëhet jofunksionale”, ka deklaruar Kurti.
Kurti ka përsëritur rrezikun e ndikimit rus në Ballkan. Ai ka thënë se Serbia nën regjimin e SNS-së sillet sikur një provincë e Rusisë.
“Kosova është një vend normal, me progres dhe zhvillim, por marrëdhëniet tona me Serbinë nuk janë normale. Nuk ka të bëjë me Kosovën, por se Serbia nuk është vend normal. Është një autokraci me lidhje shumë të gjera e të ngushta me Kremlinin. Serbia në kohën e sundimit të SNS-së është kthyer në një provincë të Rusisë dhe për këtë arsye situata në Ballkan është e rrezikshme, sepse pos që po e luftojmë hegjemoninë e Beogradit, aty është edhe Rusia. Kosova ka ushtrinë dhe policinë e saj dhe është shumë vend më demokratik se Serbia, dhe pavarësia e Kosovës është shumë më e madhe sesa ajo e Serbisë, që është e varur nga Rusia. Në Serbi opozita nuk mund të fitojë e në Kosovë ne si opozitë dëshmuam se mund ta marrim pushtetin. Ky është testi kryesor i demokracisë. Ju e dini se edhe në Rusi opozita s’ka shanse të fitojë. Ne jemi të kujdesshëm pasi në kufi kemi një vend jodemokratik”, tha Kurti.
Ai ka folur edhe për propozimin që njihet si “franko-gjerman”. Tha se është bazë e mirë për dialogun.