Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili është për një vizitë zyrtare në Greqi, ku kishte marrë pjesë në Tryezën e Rrumbullakët me Qeverinë e Greqisë dhe The Economist, ka takuar ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Denidas.
Këtë e ka bërë të ditur vetë faqja zyrtare e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë në Twitter.
Sipas informatave i pari i ekzekutivit në takim me kryediplomatin helen kanë diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi si dhe për rrugën e Kosovës drejtë Bashkimit Evropian.
“Pas takimit të tyre të fundit në Prishtinë, ministri i Jashtëm Nikos Dendias, pati një diskutim me kryeministrin kosovar, Albin Kurti për zhvillimet në dialogun Kosovë-Serbi, Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën e tyre evropiane”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Kurti, përveç kryediplomatit grek ka takuar edhe ministrin e Punëve të Jashtme të Qipros, Ioannis Kasoulides, ku ky i fundit ka theksuar se vendi i tij dëshiron të shtojë komunikimin dhe bashkëpunimin me Kosovën.
“Ai konfirmoi mbështetjen e Qipros për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.