Ndërkohë që Edi Rama vijon postimet në rrjetet sociale për të marrë opinionin qytetar, përmes platformës së këshillimit, një nga ndjekësit i kërkon kryeministrit të dijë se pse po grabiten paratë e taksapaguesve shqiptarë përmes inceneratorëve.
Në përgjigjen e tij, kreu i qeverisë shprehet se ato janë impiante moderne të trajtimit të mbetjeve dhe jo shpikje për të grabitur paratë. Sipas Ramës, akuzat për vjedhje të qindra miliona eurove janë një tymnajë e vulëhumburve politikë.
“Ardjan Shima ato të “ashtuquajtura inceneratorë” janë impiante moderne trajtimi të mbetjeve, të cilat janë investime të mëdha për të shpëtuar zona të tëra të banuara nga plehrat, ndërkohë që këtu s’ka asnjë shpikje për të grabitur paratë e tua, po ka një shpifësirë politike shifrash marramendëse e akuzat monstruoze, ndërkohë që gangrenat mjedisore të plehrave, si puna e Sharrës, janë mbyllur, dhe retë toksike të tymit nga djegia e tyre në natyrë, janë zhdukur!”.
Rama sjell në vëmendje arrestimin e ish-ministrit Lefter Koka për këtë çështje dhe ripërsërit qëndrimin e tij se kjo është çështje përgjegjësie individuale para ligjit.
“Ështe arrestuar një ish-ministër me akuzën për marrje parash nga kompania dhe për këtë drejtësia do të thotë fjalën e saj patjetër, por kjo është çështje përgjegjësie individuale para ligjit! Kurse të thuash që na qenkan vjedhur qindra miliona euro, kur veprat janë aty e kur puna e bërë është para syve, e kur ato qindra miliona euro nuk janë hiç as fare as ashtu e as aq sa thuhen, kjo është një tymnajë të cilën faktet reale dhe procesi i nisur nga organet reale hetimore, përtej farsës së shpifur të vulëhumburve politikë, do ta tresin njësoj si tymnajat e plehrave të Sharrës!”