Gazetari i mërguar turk, Erk Acarer, ka bërë të ditur se ishte sulmuar jashtë banesës së tij në Berlin të Gjermanisë.
Lidhur me një sulm të tillë është deklaruar edhe Policia e Berlinit, duke konfirmuar të enjten se Acarer ishte sulmuar në oborrin e ndërtesës së tij të banesës por nuk dha detaje për asnjë të dyshuar.
Acarer tha se ishte trajtuar në një spital për një dëmtim në kokë, i cili nuk u raportua të ishte i rëndë.
Një hetim mbi sulmin është duke vazhduar, dhe Acarer dhe familja e tij janë vendosur nën mbrojtjen e policisë.
Por pse Acarer është duke jetuar në Gjermani?
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Acarer shkoi në Gjermani së bashku me familjen e tij në vitin 2017 me ndihmën e Reporterëve pa Kufij (RSF).
Siç thuhet më tej, kjo pasi që ai u përball me kërcënime në Turqi për raportimin e tij kritik ndaj qeverisë së Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan.
Ai u akuzua gjithashtu, së bashku me tre gazetarë të tjerë turq, për botimin e informacionit të klasifikuar mbi sigurinë e shtetit dhe veprimtaritë e inteligjencës.
Sipas Amnesty International, Acarer kishte raportuar për një anëtar të inteligjencës turke i cili u vra në Libi.
Gazetarët turq të mërguar i përgjigjen sulmit
Gazetari turk Can Dündar, i cili është gjithashtu në mërgim në Gjermani, tha se sulmi ndaj Acarer ishte një “mesazh i drejtpërdrejtë” nga Erdogan se “gazetarët disidentë mund të sulmohen edhe në Berlin”.
Mesale Tolu, një gazetare e cila u burgos në Turqi në vitin 2017 për disa muaj, tha në Twitter se edhe njerëzit që kërkojnë mbrojtje në Gjermani janë ende të ekspozuar ndaj “dhunës agresive”.