Kush është Marine Le Pen, gruaja e tre burrave?

Në Francë po zhvillohen zgjedhjet presidenciale. Në raundin e dytë të votimit do të përballen presidenti aktual francez Emmanuel Macron dhe përfaqësuesja e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen.

Në raundin e parë, Macron mori 27,4 për qind të votave pas numërimit të 38 milionë votave, ndërsa Marine me 25,54 për qind të votave ishte menjëherë pas tij.

Marine Le Pen, 53 vjeçe, është vajza e një prej të djathtëve ekstremë më të famshëm të Francës, Jean-Marie Le Pen, i njohur për pikëpamjet e tij raciste dhe antisemite, si dhe për deklaratat e diskutueshme të tilla si se dhomat e gazit në kampet naziste ishin “të vogla”.

Jean-Marie Le Pen ishte lider i partisë së Frontit Kombëtar nga viti 1972 deri në vitin 2011. Vajza e tij Marine, pasoi atë.

Marine, për të cilën kjo është kandidatura e saj e tretë presidenciale, u distancua nga pikëpamjet e babait të saj dhe madje e përjashtoi atë nga partia në vitin 2015 dhe më pas ndryshoi emrin e partisë në Tubimi Kombëtar. Ai e quajti këtë akt të së bijës si “tradhëti”.

Edhe pse ajo është distancuar nga deklaratat më të diskutueshme të babait të saj, gjithsesi ndan pikëpamjet e tij për emigracionin, euroskepticizmin dhe pozicionin e Islamit në Francë. Si prioritete të saj, shkruan CNN, Marine thekson “ndalimin e imigrimit të pakontrolluar” dhe “zhdukjen e ideologjive islamike”.

Le Pen e ka mbështetur Putinin për një kohë të gjatë, por pas pushtimit të Ukrainës u distancua prej tij dhe shpalli një aleancë me Poloninë dhe Hungarinë nëse do fitonte zgjedhjet. Ajo gjithashtu dëshiron që Franca të largohet nga Bashkimi Evropian dhe gjithmonë e ka kritikuar NATO-n.

Marine është martuar dy herë dhe ka tre fëmijë. Ajo u martua me burrin e saj të parë, Franck Chauffroy, në vitin 1997 kur ishte 29 vjeçe. Në të njëjtin vit ata patën një vajzë, Jehanne, dhe dhjetë muaj më vonë ajo lindi binjakët, Louis dhe Mathilde. Ata u divorcuan në vitin 2000 dhe Marine, e njohur për mbajtjen e jetës së saj private larg syrit të publikut, nuk tha asnjë fjalë për divorcin e tyre.

Dy vjet më vonë ajo u martua me Eric Lori, një raport që zgjati katër vjet. Lidhja e saj e fundit romantike e njohur për publikun ishte ajo me Louis Aliot, Sekretar i Përgjithshëm i Tubimit Kombëtar në kohën kur u ngjiz dashuria mes tyre. Ajo qëndroi me të për 10 vjet, por pa u martuar. Çifti u nda në vitin 2019, por ata mbetën në marrëdhënie të mira.

Le Pen gjithashtu dëshiron të ndalojë therjen e kafshëve sipas rregullave fetare (therje rituale), e cila do të kufizonte myslimanët francezë dhe hebrenjtë nga aksesi në mishin hallall dhe kosher.

Disa kanë frikë se ndalimi i therjes rituale të kafshëve mund të jetë vetëm hapi i parë për t’i bërë hebrenjtë dhe myslimanët francezë të ndihen të padëshiruar, dhe ndoshta drejt largimit të tyre nga Franca.

Le Pen e quan hixhabin “një uniformë të imponuar me kalimin e kohës nga njerëzit me një vizion radikal të Islamit”.

Kjo është arsyeja pse shumë myslimanë francezë besojnë se feja e tyre është stigmatizuar padrejtësisht në fushatën presidenciale në vendin me popullsinë më të madhe myslimane në Evropën Perëndimore, i cili ka të ndaluar mbajtja e burkës dhe nikabit që nga viti 2010.