Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, i cili ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij katër muaj më parë, bashkë me Presidentin Hashim Thaci, e kanë emëruar shefin e ri të AKI’së. Pritet ceritifikimi i zgjedhjeve për t’i hapur rrugë fituesit të tyre, Albin Kurtit, ta formojë qeverinë. Megjithatë, Haradinaj nuk po e pret duarkryq kryeministrin e ardhshëm. Sot ai tha se me kompetenca të plota ka kryer emërime në AKI. Kreshnik Gashi është pasardhësi i Shpend Maxhunit në krye të inteligjencës.
Ndonëse Lëvizja Vetëvendosje paralajmëron se do ta cojë në kushtetuese vendimin e kryeministrit në largim, Agjencia Kosovare e Inteligjencës është bërë me shef të ri, shkruan Gazeta Express.
Shpend Maxhunin, i cili dha dorëheqje një muaj më parë, do ta zëvendësojë Kreshnik Gashi. Haradinaj ka bërë edhe një emërim tjetër. Burim Ramadanin si inspektor të përgjithshëm të AKI’së.
Kreshnik Gashi ka mbajtur pozita të larta institucionale në sektorin publik. Nga fillimi i vitit 2016, ka qenë kryetar i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, gjatë së cilës kohë Kosova ka marrë kodin e telefonisë 383 nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve. Ka udhëhequr ekipin profesional teknik në dialogun e Brukselit.
Para se të zgjidhej në krye të bordit të ARKEP ka qenë sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës. Më herët ka qenë zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil si dhe më parë e ka udhëhequr komisionin e përhershëm qeveritar për sigurinë e hetimeve të aviacionit pranë Zyrës së Kryeministrit.
Biografia e tij e publikuar në media thotë se ai ka përvojë në konsulenca për komisione ndërqeveritare në analiza dhe projekte të pjesëmarrjes së sektorit privat në atë publik. Ka punuar si ekspert i qeverisjes lokale në projekte të BE-së, si dhe është i trajnuar për qeverisje lokale. Ka menaxhuar disa projekte private në fushën e teknologjisë informative.
Ka marrë pjesë në shumë forume, konferenca dhe takime të nivelit ndërkombëtar, si takimi i parë i të rinjve udhëheqës të Kosovës dhe Serbisë, organizuar nga Departamenti i Shtetit Amerikan dhe Instituti Amerikan për Paqe, pjesëmarrës në forumin e të rinjve të Evropës dhe Azisë, etj.
Ka mbaruar studimet në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës dhe ka magjistruar në Universitetin Cranfield në Mbretërinë e Bashkuar.
Flet anglisht dhe serbisht.
Përndryshe, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka thënë se në bazë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore dhe në bashkërendim me presidentin, Hashim Thaçi, sot ka emëruar, Kreshnik Gashi, në postin e drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.