Kush është shoku i fëmijërisë së Eri Zefit që e nxori në pritë tek hasmit, 34-vjeçari i besonte verbërisht

Report Tv ka siguruar foton e Mikel (Gjovalin) Alia, i shpallur tashmë në kërkim për vrasjen e Eri Zefit, 34-vjeçarit që u gjet i vrarë në një kanal në Zall Xhuxhë. Alia ishte shok fëmijërie me viktimën por hetimet kanë nxjerrë se ka qenë pikërisht ai që ka nxjerrë në pritë 34-vjeçarin tek personat që e ekzekutuan. Ky i fundit prej muajit shkurt 2019 kishte reduktuar lëvizjet e tij dhe frekuentimin e personave të ndryshëm, pasi i ruhej një gjakmarrje të mundshme. Kjo pasi, Eri Zefi është vëllai i Ndue Zefit, ky i fundit në shkurt të këtij viti ka vrarë fqinjin e tij 45-vjeçarin Martin Ndreca, pas një sherri banal.

Mikel (Gjovalin) Alia

Si pasojë e kësaj vrasje, Eri Zefi, i ndruhej një hakmarrje të mundshme dhe për këtë ai kishte marrë kërcënime të njëpasnjëshme. Por gjaksit e tij, nuk mund t’i afroheshin shumë pranë banesës me qëllim ekzekutimin e Zefit, pasi shumë shpejt do të binin në sy dhe do vinin veten e tyre në rrezik.

Atëherë ata kanë filluar të venë në jetë një plan të sofistikuar duke përpunuar dhe paguar shokun e ngushtë të Eri Zefit, Mikel Alia, me qëllim që ky i fundit ta nxirrte nga shtëpia Zefin dhe t’ia çonte në pritë dy qytësve, që ishin caktuar për të bërë vrasjen.

Sapo Alia dhe Zefi kanë dalë nga makina dhe ndodheshin mes errësirës, mes disa shkurreve janë shfaqur dy persona ende të paidentifikuar duke ushtruar dhunë barbare ndaj Zefit.

34-vjeçari u ekzekutua me 6 plumba, 4 prej të cilëve e kanë kapur në kokë ndërsa 2 të tjerët në gjoks. Në trupin e viktimës u konstatuan shenja dhune dhe vrasja rezulton të ketë ndodhur gjatë natës pikërisht në vendin ku është gjetur trupi i viktimës. Viktima u gjet i vrarë në një zonë të pyllëzuar 50 metra larg rrugës së “Kombit”.