Në botën plot labirinte të politikës italiane, Silvio Berlusconi, ishte njeriu që diti të përziente më mirë se kushdo tjetër biznesin me jetën publike.
Personaliteti i tij pompoz goditi te populli italian që vazhdoi ta mbështeste gjatë gjithë karrierës pavarësisht akuzave për korrupsion dhe marrëveshje jo të ndershme.
Ai shërbeu katër herë si kryeministër i Italisë dhe sa herë që dukej se karriera e tij kishte marrë fund, ai ia dilte që të turbullonte kritikët dhe të rikthehej.
9 vite pasi iu ndalua të ushtronte funksione publike, pasi u dënua për evazion fiskal, ai arriti të rikthehej në parlament, duke u zgjedhur senator në shtator të vitit 2022, para se të mbushte 86 vjeç.
Por në të gjithë botën u morën me të më tepër për jetën private, zakonin që kishte për t’u rrethuar me femra të bukura e të reja dhe skandalet seksuale.
Ai ishte një manjat mediatik, pronar i Milanit dhe biznesmen miliarder, i cili nuk hoqi kurrë dorë nga politika dhe ndihmoi në formësimin e imazhit të Italisë për dekada me radhë.
Fillimet
I lindur në një familje të shtresës së mesme në Milano, më 29 shtator 1936, ai u rrit në një fshat pranë qytetit gjatë Luftës II Botërore. Që kur ishte student u pa që ishte i aftë të fitonte para. Ndërsa studionte në universitet ai ishte anëtar i një bande muzikore dhe gjithashtu këndonte nëpër lokale nate dhe kroçiera.
Suksesin e parë në tregti e pati si shitës i fshesave me korrent dhe shitjen e eseve të shkruara për shokët e shkollës në universitet.
Pas diplomimit ai hapi kompaninë e tij të ndërtimit Edilnord, duke ndërtuar një kompleks gjigant pallatesh në periferi të Milanos. Fondet për financimin e projektit mbeten edhe sot një mister.
Në vitin 1973, sipërmarrësi hapi televizionin lokal kabllor, të quajtur Telemilano, kryesisht për t’i ofruar shërbim televiziv personave që blinin apartamentet e tij. Katër vite më vonë ai u bë pronar i dy kanaleve të tjerë televizive dhe një studioje në qendër të Milanos. Në fund të asaj dekade ai krijoi Fininvest, një korporatë që menaxhonte të gjitha interesat e tij në botën e biznesit.
Më pas u bë pronar i Mediaset, perandorisë më të madhe mediatike italiane dhe gjithashtu i shtëpisë botuese Mondadori.
Kur vdiq, Berlusconi ishte një prej njerëzve më të pasur të Italisë, me një pasuri me vlerë miliarda dollarë. Fëmijët e tij, Marina, Barbara, Pier Silvio, Eleonora dhe Luigi, të gjithë janë bërë pjesë e drejtimit të bizneseve të tij.
Një pjesë e asaj pasurie u përdor për disa nga pasionet e tij , përfshi shpëtimin e AC Milan nga falimenti, në vitin 1986, duke e shndërruar në një prej skuadrave më të mira të futbollit botëror. Investimi do të rezultonte fitimprurës, pasi në vitin 2017 e shiti klubin tek një grup investitorësh kinezë për plot 740 milionë euro.
Megjithatë, Berlusconi nuk u largua nga futbolli pasi vite më vonë bleu klubin e vogël Monza, të cilin e ndihmoi të ngjitej në Serie A për herë të parë në historinë e tij.
Pushteti politik dhe akuzat për korrupsion
Aftësia e jashtëzakonshme e Berlusconit për t’u përballur gjithmonë me gjykatat dhe për të mos humbur popullaritetin nuk kishte të dytë.
Ai shpesh ankohej për viktimizim, sidomos nga prokurorët e Milanos, vendlindjes së tij, madje një herë pretendoi se kishte dalë 2500 herë para gjykatës dhe ishte përfshirë në 106 çështje në 20 vite.
Përgjatë viteve, akuzat kanë qenë të ndryshme, nga përvetësimi i fondeve, evazioni fiskal dhe bilance të falsifikuara dhe përpjekje për të korruptuar një gjykatës. Në shumë raste ai shpallej i pafajshëm, ose dënimi rrëzohej në shkallët e tjera të drejtësisë.
Por problemet ligjore gjithmonë i kanë peshuar në aspektin politike. Vetëm në shkurt të vitit 2023 ranë më në fund akuzat se ishte përpjekur të paguante një dëshmitar që të gënjente për çështjen famëkeqe të festave “bunga bunga” që zhvillonte në vilën e tij kur ishte kryeministër.
Partinë e tij e themeloi 30 vite më parë dhe brenda një viti u katapultua në pushtet. Duke shfrytëzuar entuziazmin për futbollit e quajti partinë e tij sipas britmave të tifozëve “Forza Italia”. Në atë kohë, e djathta italiane ishte përfshirë nga skandalet, por Berlusconi arriti të mbushte vakumin e krijuar dhe të merrte votat e elektoratit.
Përmes një fushate të madhe në kanalet e tij televizive, ai arriti të fitonte zgjedhjet në vitin 1994.
Sidoqoftë, futja e tij në politikë u pa si një përpjekje për të shmangur akuzat në çështje korrupsioni, pasi disa biznese të tij po hetoheshin nga autoritetet. Pasi mori pushtetin, qeveria e Berlusconit miratoi një ligj që i jepte atij dhe figurave të tjera publike imunitet nga procedimet penale ndërkohë që ishin në detyrë. Më vonë ligji do të shfuqizohej nga Gjykata Kushtetuese.
Mbreti i rikthimeve
Ai humbi zgjedhjet e vitit 1996, por karriera e tij politike vetëm sa kishte nisur.
Në vitin 2001, Berlusconi u rikthye në postin e kryeministrit në krye të një koalicioni të ri të quajtur “Shtëpia e Lirive”. Premtimi kryesor elektoral ishte transformimi i ekonomisë italiane, thjeshtimi i sistemit të taksave dhe rritja e pensioneve.
Por financat e shtetit po vuanin për shkak të krizës globale ekonomike dhe Berlusconi nuk pati mundësi të mbante premtimet. Ai humbi zgjedhjet kundër të majtës në vitin 2006, por i fitoi sërish në vitin 2008.
Ai mbeti protagonist në politikën italiane deri në vitin 2011, që do të rezultonte një ndër vitet më sfidues të tij.
Borxhi italian u rrit ndjeshëm gjatë krizës së borxheve në eurozonë dhe Berlusconi u detyrua të jepte dorëheqjen pasi humbi mbështetjen e shumicës në parlament. Në të njëjtin vit, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi pjesërisht ligjin që i garantonte atij dhe ministrave të tjerë imunitet të përkohshëm.
Në fund të vitit 2011 e kishte humbur përfundimisht pushtetin. Në tetor 2012 ai u dënua me katër vite burg për evazion fiskal dhe iu ndalua ushtrimi i funksioneve publike. Ai hodhi poshtë akuzat dhe foli për “grusht juridik”.
Për shkak se ishte mbi 75 vjeç, dënimi me burg iu konvertua në shërbim për komunitetin. Ai punoi katër orë në ditë me të moshuarit që vuanin nga skleroza në një azil në Milano.
Por pasi mbaroi periudha që e pengonte marrjen e detyrave publike, ai u rikthye sërish.
Festat “bunga-bunga” dhe jeta private
Përtej politikës, Berlusconi ishte më shpesh në qendër të vëmendjes për shkak të jetës private, që në fakt u bë jetë publike.
Kurrë nuk e fshehu pasionin për femrat e reja dhe të bukura. Partnerja e tij e fundit, gjithashtu kolege dhe deputete, Marta Fascina, është 50 vite më e re. Ai gjithashtu kreu transplant flokësh dhe operacione plastike për t’u dukur më i ri.
Gruan e dytë, Veronica Lario, pasi ajo performoi gjysmëlakuriq në një shfaqje. Më vonë, ajo do të shprehte publikisht sikletin për sjelljen e bashkëshortit të saj rreth vajzave të reja. Pasi Berlusconi u fotografua në festën e ditëlindjes së 18-vjeçares Noemi Letizia, ajo kërkoi divorcin.
Skandali më i madh ishte ai i festave erotike në vilën e tij, ku merrnin pjesë vajza të botës së spektaklit. Por historia bëri më shumë bujë kur ai u dënua për pagesën e një prostitute të mitur.
Më pas doli që në vitin 2010, Berlusconi, ndërsa ishte në detyrë si kryeministër, kishte telefonuar në një komisariat policie për të kërkuar lirimin e 17-vjeçares Karima “Ruby” El Mahroug, e cila ishte arrestuar për vjedhje. Gjithashtu, u raportua se ajo merrte pjesë në festat “bunga bunga”.
Mediat italiane raportuan në atë kohë se Berlusconi pretendonte se vajza ishte mbesa e presidentit të Egjiptit dhe se ai po përpiqej të shmangte një incident diplomatik.
Në vitin 2013, Berlusconi u dënua për pagesën e Ruby-t për seks dhe shpërdorim detyre, por një vit më vonë dënimi u hodh poshtë. Ai gjithmonë i hodhi poshtë akuzat, duke thënë që nëse do të paguante për marrëdhënie intime do “t’i hiqte kënaqësinë e fitimit të zemrës së një gruaje”.
Sërish Forza Italia
Në vitin 2011, partia e tij e re, “Populli i Lirisë”, mori shumë pak vota në zgjedhjet vendore, duke humbur edhe në Milano, vendlindjen e tij. Por vetë Berlusconi siguroi 1% të votave në të gjithë Italinë në vitin 2013, në zgjedhjet e përgjithshme. Partia u nda dhe Berlusconi riktheu emrin e vjetër “Forza Italia.
Edhe pse dukej se karriera e tij politike kishte marrë fund, në vitin 2018 partia e tij u rendit e treta, pas partisë anti-establishment “5 Yjet” dhe aleatëve të tij në koalicion, Lega. Berlusconi i premtoi besnikëri liderit Matteo Salvini, por Lega vendosi të mos e përfshinte në qeveri.
Pasi gjykata i lejoi sërish të kandidonte për poste publike, Berlusconi tha se do të kandidonte për në Parlamentin Europian, duke fituar lehtësisht vendin. 3 vite më vonë ai u rikthye edhe në parlamentin italian, pasi partia e tij ishte aleate e vogël e koalicionit të djathtë të drejtuar nga Giorgia Meloni.
Miqësitë dhe batutat
Berlusconi shquhej edhe për sensin e humorit jo fort të pranuar nga të gjithë dhe gafat përtej politikës. Në një rast, ai tha se eurodeputeti gjerman Martin Schulz do të kishte qenë perfekt për rolin e një rojeje naziste në një kamp përqendrimi, ndërsa ka thënë që Benito Mussolini ishte një lider i mirë. Më vonë tha se këto deklarata ishin shaka.
Mik i Muammar Gedaffit dhe Vladimir Putinit ai tha se për nisjen e luftës ishte faji i Ukrainës, ndërkohë që qeveria italiane mbështeste Kievin fuqimisht.
Kritikët e tij ishin më tepër të acaruar për shkak se ai përfshihej në çdo çështje publike në Itali. Ata gjithashtu pretendonin se perandoria e tij mediatike i jepte gjithmonë një epërsi të padrejtë në zgjedhjet vendore.
Berlusconi vetë i hidhte poshtë pretendimet se ngatërronte biznesin me politikën, për të përfituar personalisht në dëm të Italisë. “Duke u kujdesur për interesat e të gjithëve, kujdesem edhe për të miat. Nuk mund të flitet këtu për konflikt interesi”, pati thënë ai.