Kushtrim Cukaj shkarkohet nga posti i sekretarit në MIE, dyshohet për “shkelje të rënda dhe të shumta”

Kushtrim Cukaj është shkarkuar nga posti i sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Integrimit Evropian.

Komisioni Disiplinor ka marrë këtë vendim duke thënë se Cukaj u shkarkua për “shkelje të rënda dhe të shumta të detyrave të punës gjatë ushtrimit të funksionit të tij në këtë pozitë”.

Sipas Komisionit Disiplinor për Pozitat e Nivelit të Lartë Drejtues në Shërbimin Civil të Qeverisë së Kosovës, “shkeljet e konstatuara kanë të bëjnë me keqadministrimin në lidhje me kontratat e lobimit, kontratat mbi qiradhënien e objektit për MIE dhe kontratat për marrëveshje të veçanta të shërbimeve në administratën e institucionit; shkaktimin e dëmit financiar ndaj MIE-së; shkeljen dhe mos-përfilljen e obligimeve që burojnë nga marrëveshja ndërkombëtare nga projekti Skema Profesionistët e Rinj; shkeljen e Kodit të Mirësjelljes në Shërbimin Civil; marrjen e masave disiplinore në mënyrë të jashtëligjshme ndaj stafit të MIE-së; mos-kryerjen e obligimeve për vlerësimin e rregullt vjetor sipas procedurave ligjore; komunikimin joprofesional në raport me partnerët e jashtëm; si dhe refuzimin për të zbatuar vendimin administrativ të formës së prerë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil”.