Lajçaku te Vuçiqi në Beograd: A do ta bind që t’i shkojë në samit Ramës?

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do ta pres sot në takim emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë, Serbi, Miroslav Lajçak.

Sipas një njoftimi të presidencës serbe, takimi mbahet në orën 11 në ndërtesën e presidencës serbe.

Mediat në Beograd raportojnë se pas këtij takimi me zyrtarin evropian, kreu i shtetit serb do të njoftojë se kush do ta përfaqësojë Serbinë në samitin BE-Ballkani Perëndimor, i cili fillon të martën në Tiranë.

Vuçiq tha se ishte i ftuar në samit, por pasi nuk u pajtua me reagimin e BE-së për emërimin e Nenad Rashiqit për ministër në Qeverinë e Kosovës, e relativizoi shkuarjen e tij në Shqipëri dhe e paralajmëroi vendimin për fundjavë , gjë që nuk ndodhi, kështu që gjithçka u shty për të hënën.

Nikoqiri i samitit, kryeministri shqiptar Edi Rama tha se Serbia do të ketë një përfaqësues në samit dhe se Vuçiq nuk ka zgjidhje tjetër veçse të shkojë sepse ndryshe do të ishte fatkeqësi për Serbinë dhe për të, njofton Klankosova.tv.

Ndërsa, kryeministrja serbe Ana Bërnabiq beson se Vuçiq nuk i nënshtrohet asnjë presioni, përkundrazi. Bashkë me Ramën, edhe ajo mendon se duhet të shkohet në samit dhe të shkojë Vuçiq.

Sllovaku Miroslav Lajçak ditë më parë e konfirmoi se javën që vjen do të qëndrojë për vizita në Kosovë dhe Serbi për t’u siguruar që të dyja vendet po e respektojnë marrëveshjen për targa.

Ende nuk dihet se kur ai do të vijë në Kosovë ku do të takohet me kryeministrin Albin Kurti.

Lajçak ka bërë të ditur se gjatë këtyre takimeve temë diskutimi do të jenë edhe hapat e ardhshëm për normalizim të marrëdhënieve sipas planit franko-gjerman, përcjell Klankosova.tv.

“Pra, për momentin jemi pozitiv dhe mendojmë se realisht nuk duhet të përballemi me një krizë tjetër në terren por duhet të fokusohemi në normalizim të marrëdhënieve. Për t’u siguruar që po e shfrytëzojmë këtë momentum, po planifikoj që javën tjetër të vizitoj Prishtinën dhe Beogradin, për të takuar kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq për të diskutuar hapat e ardhshëm të normalizimit bazuar në dokumentin që unë e kam paraqitur në muajin shtator, si dhe në komentet që kemi marrë nga Prishtina dhe Beogradi javëve të fundit” .

“Dhe tani po planifikoj të vij javën tjetër për të vazhduar diskutimin tonë bazuar në këtë propozim mbi këto komente dhe për të folur për hapat e ardhshëm dhe më pas të përgatitet takimi i radhës i nivelit të lartë mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq i cili do t’i kushtohet plotësisht këtij propozimi dhe procesit të normalizimit. Dhe ne po diskutojmë edhe datat e mundshme të takimit të ardhshëm”, ka thënë Lajçak.