Lajmërohet Avdullah Hoti, paralajmëron krijimin e qeverisë së re – hedh akuza të rënda për Qeverinë Kurti
Kandidati i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti, ka reaguar sërish lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se ai duhet të pranohet nga të gjithë, pa asnjë kundërshtim sepse nuk ka rrugë të dytë, përcjell Bota sot.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se kushdo që e shfrytëzon këtë masë të përkohshme për të degraduar institucionet ekzekutive të vendit, rrënimin e ekonomisë dhe përdorimin e pandemisë për të shkelur liritë tona themelore, do të zhgënjehet keq, siç po zhgënjehen çdo ditë përmes shpalljes së vendimeve të tyre kundër kushtetuese nga ana e Gjykatës Kushtetuese.
Ai ka thënë se shumica parlamentare në Kuvend, duke zgjedhur një qeveri të re, nuk do të lejojë që qytetarët dhe institucionet të merren nëpër këmbë nga struktura politike pa legjitimitet.
Postimi i tij i plotë në Facebook:
Çdo vendim i Gjykatës Kushtetuese duhet të pranohet nga të gjithë, pa asnjë kundërshtim, me urtësinë dhe detyrimin që kemi ndaj vendimeve të këtij institucioni gardian të Kushtetutës. Vetëm kështu e avancojmë demokracinë tonë. Nuk ka rrugë të dytë.
Në anën tjetër, kushdo që e shfrytëzon këtë kohë të masës PËRKOHSHME për të degraduar institucionet ekzekutive të vendit, rrënimin e ekonomisë dhe përdorimin e pandemisë për të shkelur liritë tona themelore, do të zhgënjehet keq, siç po zhgënjehen çdo ditë përmes shpalljes së vendimeve të tyre kundër kushtetuese nga ana e Gjykatës Kushtetuese.
Shumica parlamentare në Kuvendin e Republikës, duke e zgjedhur një Qeveri të re në përputhje me Kushtetutën, nuk do të lejojë që qytetarët dhe institucionet të merren nëpër këmbë nga struktura politike pa legjitimitet.