Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, i ka reaguar Ministrisë së Shëndetësisë për masat e reja që ka ndërmarrë lidhur me virusin COVID-19. Latifi thotë se Rahoveci është vatër e bujqësisë dhe fermerët duhet të lejiohen të kryejnë punët pranverore.
Përmes një komunikate për media, kreu i Rahovecit thotë se me masat e reja të Ministrisë së Shëndetësisë, në emër të parandalimit të Covid-19 dhe menaxhimit të gjendjes në vend, janë cenuar liritë dhe të drejtat e njeriut.
Sipas Latifit, një orë e gjysmë në ditë nuk është e mjaftueshme për bujqit që t’i kryejnë pounët e tyre.
“Ne gjindemi në një presion të paimagjinueshëm nga fermerët e komunës sonë, të cilët sot ia kanë mësyrë objektit të Komunës së Rahovecit, për të kërkuar sqarime rreth këtyre masave, mezi kemi arritur të parandalojmë një protestë të mundshme, të fermerëve të komunës sonë, të cilët janë të indinjuar me veprimet dhe vendimet e Qeverisë në detyrë të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e Latifit.
Ai shton se është në pritje të një sqarimi se çka përmbajnë në tërësi masat e reja të marra nga Ministria e Shëndetësisë. Në të kundërtën, ai thotë se do të insistojë për një zgjidhje konkrete që t’u lejohet bujqve dhe fermerëve qasje në tokat e tyre.
“Nuk mund të lejojmë që të aplikohen masa të paaplikueshme, në një komunë që është kryesisht bujqësore, që është krenaria e Republikës së Kosovës, që dikush të merr vendime pa u konsultuar, pa i marrë parasysh, shqetësimet, kërkesat dhe nevojat e fermerëve, Ministri në detyrë i Shëndetësisë, z. Arben Vitia, nuk është konsultuar fare me kryetarët e komunave për këto masa dhe të njëjtat janë arbitrare”, thuhet në reagim.