Dy ditë para se të jepte dorëheqje nga posti i ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi, në një mesazh si mjek, në emisionin “Tabu” në KTV, ka thënë se secili duhet t’i kushtojë shumë më shumë kohë vetes e ta kuptojnë se “askush s’është i pazëvendësueshëm”.
Duke folur për shëndetin, Latifi ka thënë se kënaqësia shpirtërore është mbi të gjitha e se bilancin mund ta ndërrojnë vetëm sëmundjet fizike. “Nëse je i kënaqur shpirtërisht, s’ka kurrgjë që s’mund të arrihet”, ka thënë ai duke shtuar se secili “duhet ta ushqejë” veten me kujdes.
“Edhe vetëm një orë në ditë po t’ia kushtojmë vetes, me i mbyllë telefonat, televizorin, me e mbyllë zhurmën e rrjeteve sociale, me u marrë me veten… do të ishte mirë për të gjithë”, ka thënë Latifi në KTV, në temën “Kur jemi pa qejf?”
“Ne duhet me u ndalë pak me u marrë erë luleve. Ne mendojmë se jemi të pazëvendësueshëm. Të gjithë jemi të zëvendësueshëm. Edhe mbretërit janë, komandantët si Napoloni, kryeministrat e shteteve të mëdha, edhe ne. S’ndodh gjë nëse e mbyll telefonin për një javë ditë”, ka thënë ai si mesazh se të gjithë duhet të ndalen nga mbingarkesat në jetën e tyre e t’i kushtojnë vetes më shumë kujdes.
Në një rrëfim ndryshe, Latifi ka thënë se edhe vetë nuk është njeri që ka histori të mirë të vizitave te mjeku duke neglizhuar shëndetin e duke menduar se “hajt se më kalon”.
Ai ka thënë po ashtu se gjatë jetës e ka shijuar çdo moment. “Gjithë jetën e kam pasur të shkëlqyeshme. Njeriu më fatlum që keni pasur në studio ndonjëherë, jam unë”, ka thënë ai duke qeshur.
Se përse pati lënë karrierën në Amerikë për t’u bërë ministër i Shëndetësisë në Kosovë, Latifi ka thënë se ftesa ka qenë “befasia më e madhe ndonjëherë”.
“Nuk e ç’bëj atë vendim për gjithçka që ka bota. Vendimi për t’u kthyer ka qenë vendimi më i mirë. Dhe e kam bërë shumë shpejt”, ka thënë Latifi. “Ky është çmimi Nobel për mua, që t’i shërbej popullit tim”.
Më 6 tetor, Latifi dha dorëheqjen nga posti i ministrit. Nuk janë sqaruar ende arsyet e largimit të tij.
Latifi ishte emëruar më 16 nëntor të vitit të shkuar, duke e zëvendësuar Arben Vitinë që kishte konkurruar për kryetar të Prishtinës. Deri në emërimin e një personi tjetër në këtë pozitë, kryeministri Albin Kurti e ka caktuar ushtruese detyre Dafina Gexha Bunjakun.