Kryetarë e Degëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës nëpër të gjithë vendin, kanë dalur me anë të një komunikate të përbashkët dhe kanë përkrahur Kryesinë e partisë për daljen nga koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje.
LDK përmes një deklarate të përbashkët e ka bërë përgjegjëse kryesore për krizën politike dhe situatën e fundit në Kosovë, kryeministrin Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje.
Partia ‘Rugoviane’ ka kërkuar që të ruhet partneriteti jetik me Amerikën, si dhe kanë bërë apel tek deputetet e tyre në Kuvendin e Kosovës që të përfaqësojnë politikat e LDK’së dhe votat që kanë marrë.
Komunikata e plotë:
Duke shprehur shqetësimin e thellë rreth situatës pandemike në Kosovë dhe duke konstatuar përgjegjësinë e kryeministrit Albin Kurti dhe partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje për shkaktimin e krizës politike, strukturat drejtuese qendrore dhe lokale të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), dalin me këtë komunikatë:
“Në koordinim të plotë me Kryesinë e LDK-së dhe kryetarin Mustafa, kryetarët e Degëve të LDK-së dhe strukturat e saj përkrahin qëndrimin e Kryesisë në lidhje me partnerin e koalicionit dhe zhvillimet e fundit në vend.
Kryetarët e Degëve presin nga përfaqësuesit tonë në Qeveri dhe Kuvend që të përfaqësojnë LDK-në dhe politikat e saj me dinjitet dhe ta mbrojnë legjitimitetin që e kanë marrë përmes votuesve tanë.
Për LDK-në, partneriteti me SHBA dhe aleatët është jetik për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës”.