LDK insiston që ministër të MPJ-së ta bëjë avokatin e Klanit ‘Pronto’

Po bëhen gati tre muaj që nga përfundimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit dhe ende nuk kemi qeveri në përputhje me vullnetin qytetar të shprehur në kutitë e votimit.

Pas gati dy muajs bisedimesh mes LVV si fituese e zgjedhjeve dhe LDK që doli e dyta, kryetari i VV-së pranoi publikisht dështimin e arritjes së marrëveshjes, por pa mohuar vazhdimin e bisedimeve dhe arritjen e një dakordimi final për bashkëqeverisje.

Insistimi i LDK-së në pozitën e presidentit si duket ju dha goditje të rëndë mundësive për dakordim e po ashtu edhe posti i ministrit të Punëve të Brendshme që LDK vazhdon të insistojë ta marrë me çdo kusht.
Sipas burimeve të gazetës online veriu.info mësohet se LDK po synon që në pozitën e ministrit të Punëve të Brendshme të vendos avokatin Besnik Berisha, i cili është në cilësinë e avokatit mbrojtës të rastit Pronto.

Besnik Berisha që pretendohet të marrë pozitën e ministrit në Qeverinë e re Kurti momentalisht mbron të akuzuarin në rastin Pronto, ish ministrin e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqajn, i cili së bashku me shumë zyrtarë të PDK-së dyshohen për ndikime në punësime të shumta të njerëzve të afërt më partinë e tyre në borde, drejtorë ndërmarrjesh dhe agjencione të pavarura.

Në seancën e fundit të zhvilluar në lidhje me këtë rast, avokati Berisha ka pasur përballje të ashpër më prokuroren e rastit, Drita Hajdari, në mbrojtje të zyartarit të lartë të PDK-së, ish ministrit Beqaj, duke pretenduar se janë bërë padrejtësi ndaj tij dhe se ai është i pafajshëm në rastin pronto sado që në përgjimet e njohura që i kanë dëgjuar të gjithë kuptohet qartë ndërhyrja flagrante e ish ministrit dhe zyrtarëve të tjerë në punësime.

Në mesin e 11 të akuzuarve janë, ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, deputeti aktual i PDK-së, Zenun Pajaziti, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Nijazi Kryeziu, ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti, ish-sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ilhami Gashi, ish-zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fatmir Shurdhaj, ish-këshilltari politik në MPB, Sedat Gashi, Ismet Neziraj, Xhavit Dakaj dhe Rexhë Abazi.

Ata akuzohen për kryerjen e veprës penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për Ndërmarrjet publike qendrore, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kryeshef i Agjencisë për produkte medicinale dhe Koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj. Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, Agjencitë për zbatimin e ligjit si dhe mediat dhe shoqëria civile.

Besnik Berisha ka mbajtur edhe pozitën e këshilltarit të ish kryeministrit Mustafa dhe njihet për qëndrimet e tij në përkrahje të LDK-së.

Përfshirja e tij në rastin Pronto duke mbrojtur zyrtarë të lartë të PDK-së në përgjimet më skandaloze të njohura ndonjëherë në Kosovë, e bën atë një person aspak kredibil për të udhëhequr më dikasterin e rendit dhe ligjit në Kosovë.