Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se LDK-ja e sheh të papranueshëm mbajtjen e çfarëdo referendumi të një shteti tjetër, në territorin e Kosovës.
Abdixhiku përmes një statusi në Facebook ka thënë se presin mbështetjen dhe respektimin e normave që parasheh Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, e po ashtu praktikat ndërkombëtare.
“Lidhja Demokratike e Kosovës e sheh të papranueshëm mbajtjen e çfarëdo referendumi të një shteti tjetër në territorin e Republikës së Kosovës. Kushtetuta e Kosovës, ligjet e Kosovës dhe praktikat ndërkombëtare, janë të qarta në këtë drejtim. Prandaj ne presim dhe mbështesim respektimin e këtyre normave në plotni”, ka thënë Abdixhiku.
Reagimi i Abdixhikut vjen vetëm pak pasi vendet e QUINT-it kanë kërkuar të premten nga Qeveria e Kosovës që të lejojë të zhvillohet referendumi i Serbisë në Kosovë, për ratifikimin e ndryshimeve kushtetuese të këtij shteti.
Mirëpo Qeveria e Kosovës ka deklaruar se referendumi mund të zhvillohet vetëm në dy forma: nëpërmjet postës dhe nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Republikën e Kosovës, forma këto të cilat Serbia nuk po i pranon.