Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Arben Gashi, i ka kërkuar publikisht kryeministrit Albin Kurti, që ta heqë plotësisht taksën 100 % ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Gashi ka thënë se për të marrë një vendim të tillë, Kurti do të ketë edhe mbështetjen e plotë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Tarifa duhet të hiqet dhe për këtë dakordohemi të gjithë. Edhe AAK që është kundër, do të në bashkohet në unifikimin e qëndrimit përballë Serbisë. Kërkojmë sa më parë që kryeministri Kurti ta heqë tarifën e plotë sa më parë. Ka mbështetjen e plotë të LDK’së”, ka thënë Gashi, raporton Gazeta Express.
Deputeti i LDK’së i ka thënë Kurtit se askush nuk do ta konsiderojë si frikacak për nënshtrim ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Shumica janë për heqjen taksës. Z.Kurti, heqja e plotë e tarifës nuk është në kundërshtim me popullin. Njerëzit do të na gjykojnë një ditë nëse ftohim raportet me Amerikën”, ka thënë ndër të tjera Gashi.
Ai ka bërë thirrje edhe për lënie anash të inateve dhe për unitet të plotë politik në vend.