Ligji i vjetër për punëtorët në Gjermani, kërcënim më i madh për kosovarët se ligji i ri, i hyrë sot në fuqi

Hyrjen në fuqi të Ligjit të ri për Punëtorët në Gjermani, nuk po e cilësojnë si më të kërcënueshëm sesa ligji i vjetër i hyrë në fuqi më 2015, ekonomistët në vendin tonë, pasi që ligji i ri nuk i lejon të marrin leje pune personat të cilët nuk janë të kualifikuar në ndonjë fushë, shkruan Gazeta Metro.

Kështu thotë hulumtuesi nga Instituti GAP, Blend Hyseni, i cili qe pjesë e prezantimit të raportit “Emigrimi i fuqisë punëtore të Kosovës në Gjermani”, raport ky i përbashkët me organizatën gjermane Expert Council of German Foundations on Integration and Migration (SVR).

Hyseni në një prononcim për Gazetën Metro, ka sqaruar për efektet pozitive dhe negative të cilat i ka vlerësuar ky raport statistikor rreth migrimit të kosovarëve në Gjermani kryesisht për punë, duke përmendur kështu edhe ligjin e vjetër për punëtorët i cili është miratuar në vitin 2015, për të cilin Hyseni thekson se paraqet rrezik më të madh për Kosovën sesa ligji i ri që ka hyrë sot në fuqi.

“Para vitit 2015 Gjermania nuk ka pasur ndonjë hapësirë ligjore për migrim nga Kosova. Ndërsa, në vitin 2015, Kosova i ka dorëzuar diku rreth 33 mijë azil kërkues në Gjermani, ndërsa në po këtë vit erdhi edhe kriza e migrimit kryesisht nga vendet e lindjes së mesme, si Siria, dhe azil kërkimi është bërë problematik dhe për këtë shkak Gjermania vendosi ta bie një ligj për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, ku parimisht i ka shpallë këto vende si të sigurta për të jetuar dhe nuk është pranuar një azil nga këto vende, përveç nëse është azil i arsyeshëm. Me këtë rast ka ardhur edhe rregulli për Ballkanin Perëndimor, rregull kjo e cila nuk specifikon ndonjë aftësi, ku çdo lloj i punëtorëve kanë mundur të emigrojnë nëse e kanë marrë një kontratë pune në Gjermani. Për të marrë një kontratë të tillë është dashur të ketë dëshmi se nuk ka asnjë gjerman në atë punë apo dikush brenda BE’së. Përmes kësaj rregulle të Ballkanit Perëndimor kanë dalë mbi 15 mijë persona që nga 2016 deri në 2018’tën, të profileve të ndryshime, kryesisht nga ndërtimtaria”.

“Ky ligj vazhdon të jetë në fuqi pasi që është aprovuar deri në vitin 2020, por ka mundësi që vazhdohet për shkak që shumë politikanë brenda Gjermanisë janë duke e parë si sukses. Ligji i ri që ka hy në fuqi sot është kryesisht për punëtorë të kualifikuar, me shkollim të lartë ose master. Ky ligj është paralel dhe nuk është vetëm për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor por është për tërë botën. Kështu që nuk paraqet ndonjë rrezik të shtuar për Kosovën për shkak që shumë më shumë do të dalin përmes këtij ligjit të vjetër, por ligji i ri për shkak që i targeton kryesisht punëtorët e kualifikuar dhe mund të paraqesë problem për ekspertët e mundshëm, pasi që e përshpejton mënyrën e daljes prej Kosovës”, ka thënë Hyseni për Gazetën Metro.

Ai tutje ka theksuar se ardhja në fuqi e këtij ligji paraqet edhe anët pozitive, pasi që siç thotë ai, me ikjen e punëtorëve bizneset detyrohen të plotësojnë të drejtat e punëtorit dhe të rrisin pagat në mënyrë që t’i mbajnë në punë këta punëtorë, ndërsa si aspekt negativ u cilësua ikja e punëtorëve, profesionet e të cilëve i bëjnë vështirë të zëvendësueshëm, duke shtuar se ikja e fuqisë punëtore të cilët janë të pakualifikuar është e nevojshme për Kosovën.

“Papunësia në Kosovë është diku 30% ose rreth 140 mijë njerëz janë të papunë, kështu që ardhja në fuqi e këtij ligji i ka disa të mira, p.sh. e drejta e  punëtorëve nuk zbatohet në Kosovë, me ikjen e punëtorëve krijohet një lloj konkurrence për të punuar në Kosovë dhe bizneset detyrohen të plotësojnë të drejtat e punëtorit ose edhe t’i rrisin pagat në mënyrë që t’i mbajnë në punë, punëtorët që i kanë, por aspekti negativ është që normalisht nuk janë duke dalë jashtë Kosovës vetëm ata të cilët janë të papunë, por edhe ata të cilët kanë përvojë pune këtu, ku janë disa profile në Kosovë që nuk ka shumë të papunë dhe nëse ata dalin atëherë bizneset në Kosovë nuk do të mund t’i zëvendësojnë këta punëtorë”.

“Problemi kryesor është që Agjencioni i Statistikave nuk e publikon profesionin e të papunësuarve në Kosovë. Dhe Agjencia për Punësim e Kosovës nuk mund të bëjë një analizë të tregut për të parë se cili është kërcënimi real i migrimit të punëtorëve. Ky është problemi pse këto dy ligje e kanë efektin negativ pasi që ikë edhe fuqia e punëtorëve të cilët janë të pakualifikuar e që është e nevojshme për vendin tonë, e Kosova është e papërgatitur për shkak që nuk e ka një database se cilat janë profesionet e këtyre të papunëve dhe realisht nuk është i saktë edhe numri që paraqitet i të papunëve. Gjermania para se të bëjë këtë rregullin e Ballkanit Perëndimor, e ka një listë që e di saktë për secilin profesion sa persona i kërkon, pasi që ata e bëjnë një analizë të tregut shumë të saktë që e di për çdo profesion se sa ka nevojë tregu gjerman. E Kosova nuk e ka atë analizë. Për këtë arsye edhe nëse e vlerësojmë rrezikun është pak vështirë, për momentin bizneset e përballojnë, por me këtë ritëm të migrimit pakënaqësia vetëm se do të rritet dhe do të vërehet mungesa e punëtorëve sidomos në disa sektorë”, ka thënë ai.

Me anë të kësaj, Hyseni ka bërë të ditur se institucionet përkatëse duhet të kërkojnë të dhënat e Ambasadës së Gjermanisë, sa i përket vizave të cilat i lëshon për sektorë, apo për profile të punëtorëve, gjë që nuk e bën të ditur kjo ambasadë, duke shtuar se Agjencia për Punësim e Republikës së Kosovës duhet të paraqesin një analizë të tregut për të parë se cilat janë profilet e punëtorëve për të cilat Kosova ka më së shumti nevojë, gjë që lehtëson verifikimin e të dhënave se sa persona dalin jashtë vendit.

“Agjencia për Punësim e Kosovës duhet të tregojë një analizë të tregut për të parë se cilat janë profesionet që ka nevojë Kosova. P.sh. duhet bërë një pyetësor të biznesit të rregullt për të parë se sa është kërkesa për punëtorë tani dhe në të ardhmen, për cilët punëtorë kanë më së shumti nevojë. Dhe në bazë të këtyre të dhënave të bëhet një analizë e tregut, pra saktë sa persona po dalin jashtë. Momentalisht Ambasada e Gjermanisë e publikon numrin e vizave të cilat i lëshon por jo për sektorë, për profile të punëtorëve.  Pra, është mirë që këto të dhëna t’i kërkojnë institucionet tona për të parë se cilat profile i mbulojnë këta punëtorë të cilët po dalin jashtë dhe a paraqesin këto profile problem për Kosovën. Unë e vlerësoj që rreziku më shumë qëndron te ligji i vjetër sesa te ligji i ri që ka hy sot në fuqi”, ka përfunduar Hyseni për Gazetën Metro.

Ligji i ri për punëtorët në Gjermani ka hyrë në fuqi që nga dita e sotme, 1 mars 2020, ligj ky i cili do të lejojë edhe punëtorët nga vendet e Ballkanit Perëndimor të cilët janë të kualifikuar për profesione të caktuara, të aplikojnë për të punuar në këtë vend të perëndimit.