Fatmir Limaj dje ka folur publikisht për negociatat e zhvilluara me Albin Kurtin, të cilat nuk çuan në një marrëveshje politike, të paktën jo deri më tash.
Lideri i Nismës Socialdemokrate, i cili në fund të muajit të kaluar u ul në negociata me kryetarin e Vetëvendosjes për arritjen e një marrëveshje për koalicionin e ri qeverisës, ka thënë se kërkesat e tij drejtuar Kurtit kanë qenë dy: një pako ligjore dhe posti i kryeparlamentarit.
Në një intervistë për Pressing të T7, Limaj ka pohuar se Kurti është pajtuar për shumicën e kërkesave nga pakoja ligjore e propozuar prej tij.
Pakoja të cilën ia ka propozuar Kurtit, lideri i Nismës ka thënë se i përfshin pesë tema: energjia, Ligji për Investime Strategjike, modeli i PPP-ve, Ligji i Veteranëve dhe reforma zgjedhore.
“Z. Kurtit i kam thënë se i kam dy kërkesa minimaliste. Kemi kërkuar në tri-katër tema të rëndësishme. E para: renovimi i kapaciteteve tona energjetike urgjente. Kosova nuk mund të dal nga kriza me shtrenjtim të rrymës. Ne duhet të investojmë në renovimin e kapcatieteve. Kosovës A1, A2, A3”, ka deklaruar ai.
“Deri dikund 1,800 megavat ne mund të prodhojmë vetëm me renovimin e termocentraleve ekzistuese. Ka qenë një bisedë shumë përmbajtësore dhe të dy e kemi pasur të njëjtën ide, të njëjtin qëllim me shku drejt saj”, ka thënë Limaj.
Limaj tha se ka kërkuar nga Kurti rishikimin e Ligjit për Investime Strategjike.
“Por, kam kërkuar gjithashtu që në paketën ligjore të jetë edhe Ligji për Investime Strategjike. Duhet të rishikohet edhe njëherë që të jetë sa më i pranueshëm dhe të rregullohen kushtet që bizneset tona të konkurrojnë në treg”, është shprehur Limaj.
“E treta kam kërkuar që modeli i PPP-së, partneritetit publiko-privat, siç është aeroporti, duhet ta aplikojmë në shumë drejtime; në infrastrukturën publike, në thithjen e investimeve direkte nga jashtë. Kam biseduar për Trepçën, për minierat dhe për shumë të tjera”.
Kërkesa e katërt e Limajt për Kurtin ndërlidhet me veteranët, ka zbuluar lideri i Nismës.
“Temë tjetër ka qenë çështja e veteranëve dhe paga minimale e tyre. Kam kërkuar që menjëherë të ndryshojë Ligji për Veteranët dhe të hiqet kjo çështja banale që veterani të mos ketë të drejtë të ketë një vend pune të dytë. Është absurde veterani të mos ketë të drejtë të punojë në sektorin privat. Kështu që, urgjentisht kjo pikë duhet të hiqet”, ka thënë ai. “Dhe, këtu kemi pasur mirëkuptim”.
Negociatat Kurti-Limaj kanë përfshirë edhe çështjen e reformës zgjedhore.
Limaj ka propozuar uljen e pragut zgjedhor nga pesë për qind sa është aktualisht, në dy për qind.
“Tema e pestë: kam folur për reformën zgjedhore. Unë e di që partitë e mëdha kanë bërë reformë zgjedhore në ato vende ku ato e kanë parë më me interes, siç është lista nga 15-të që po del se nuk ka qenë bash siç e kanë pritur, por ndodhin këto sende. Ne kemi kërkuar uljen e pragut nga pesë në dy për qind”, ka deklaruar Limaj.
Kjo është e vetmja kërkesë nga pakoja ligjore për të cilën Limaj ka thënë se nuk mori përgjigje pozitive nga lideri i Vetëvendosjes.
“Për këtë kërkesë, z. Kurti ka kërkuar kohë që të më kthej përgjigje”, ka përfunduar Limaj.
Kurti, nuk e ka pranuar as kërkesën e Limajt për postin e kryeparlamentarit. Lëvizja Vetëvendosje e ka propozuar Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit të Kosovës. Propozimi ka ngecur tash e 21 seanca, me Limajn dhe partitë e tjera të opozitës së deritashme që e kanë kundërshtuar propozimin e Vetëvendosjes.