Forcat izraelite dhe luftëtarët palestinezë po zhvillojnë luftime të ashpra rreth spitalit më të madh të Gazës, Al Shifa të enjten, pasi krahët e armatosur të Hamasit dhe Xhihadët Islamist kanë thënë se kanë sulmuar ushtarët izraelitë dhe tanket me raketa dhe mortaja.
Ushtria izraelite ka thënë se po vazhdon të operojë rreth kompleksit të spitalit, pasi e sulmoi atë më shumë se një javë më parë, raportoi Reuters.
Forcat e saj pretendojnë se kanë vrarë rreth 200 persona të armatosur, që kur e kanë nisur operacionin “duke e parandaluar dëmtimin e civilëve, të pacientëve, ekipeve dhe pajisjeve mjekësore”.
Ministria e Shëndetësisë e Gazës ka thënë se të plagosurit dhe pacientët po mbahen brenda një ndërtese të administratës në Al Shifa, e cila nuk është e pajisur për t’u ofruar atyre kujdes shëndetësor.
Pesë pacientë kanë vdekur nga mungesa e ushqimit, ujit dhe kujdesit mjekësor, që kur Izraeli ka nisur sulmin në spital, ka bërë të ditur ministria e Shëndetësisë e udhëhequr nga Hamasi.
Al Shifa, spitali më i madh në Rripin e Gazës, është një nga pak ndërtesat e kujdesit shëndetësor, të cilat edhe pjesërisht operojnë në veri të Gazës. Spitali ka strehuar edhe civilë të zhvendosur.
Në një deklaratë për media, krahët e armatosur të Hamasit dhe grupet militante të Xhihadit Islamik, kanë thënë se “i kanë sulmuar tanket izraelite me raketa anti-tank jashtë spitalit”
Të paktën 32,552 palestinezë janë vrarë dhe 74,980 janë plagosur gjatë ofensivës së ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës, që nga 7 tetori, ka thënë ministria e Shëndetësisë e Gazës të enjten.
Mijëra të tjerë të vdekur besohet se kanë mbetur nën rrënoja dhe mbi 80% e popullsisë së Gazës prej 2,3 milionë banorëve janë zhvendosur, shumica prej të cilëve përballen me urinë.
Forcat izraelite vazhdojnë t’i mbajnë të bllokuara edhe spitalet Al-Amal dhe Nasser në Khan Younis.